Bronkopneumia virale, ndër ndërlikimet e varicelës
AIDA MALAJ
Ditët e fundit janë shtuar rastet me varicelë, apo si njihet lija e dhenve. Ndonëse sëmundja nuk ka karakter sezonal në shfaqjen e saj, për mjekët arsyeja e shfaqjes gjendet tek temperaturat e përshtatshme dhe ndotja e lartë e ambientit. Ata tërheqin vëmendjen për parandalimin e shfaqjes dhe në shmangien e komplikacioneve. Në një intervistë për “Panorama”, mjekja infeksioniste, Imelda Zeqo, shpjegon se si shfaqet sëmundja dhe si mund të trajtohet ajo:
Doktoreshë, është e vërtetë që kohët e fundit janë shtuar rastet me varicelë?
Po, është e vërtetë që ka pasur një rritje të numrit të rasteve. Pavarësisht se varicela nuk ka periudhë të caktuar për shfaqjen e saj, faktorët atmosferikë, temperaturat e ajrit dhe niveli i ndotësve, ndikojnë në uljen e sistemit imunitar, me pasojë favorizimin dhe zhvillimin e virusit.
Kush preket më shumë?
Më tepër preken moshat e vogla, deri në grupmoshën 12-13 vjeç, por nuk përjashtohen dhe moshat disi më të rritura. Virusi mund të jetë i pranishëm tek të gjithë, dhe në momentin që gjen terren shfaqet me shenjat klinike. Por mund të ndodhë që, pavarësisht se gjendet në organizëm nuk shfaqet. Në moshë më të rritur, kur sistemi imunitar komprimohet, sidomos te diabetikët dhe ata që kanë sëmundje kronike, virusi që shkakton varicelën mund të manifestohet me herpes zoster, apo siç njihet “zjarri i natës”, pasi të dyja këto sëmundje kanë të njëjtin virus në origjinë të tyre.
Ju thatë se mund të ndodhet në organizëm dhe nuk shfaqet, ka ndonjë analizë apo test që mund ta përcaktojë praninë e këtij virusi?
Jo, fatkeqësisht nuk ka teste apo analiza të tilla. Virusi ndodhet në organizmin e njeriut dhe kur krijon kushte të përshtatshme për të, në situata të dobësimit të sistemit imunitar apo dhe nga kontaktet me persona të infektuar, mund të shfaqet sëmundja.
Cilat janë shenjat që tregojnë për praninë e kësaj sëmundjeje?
Sëmundja ka një periudhë inkubacioni 4-5 ditore deri në 10 ditë, që do të thotë se nga momenti i infektimit, duhet të kalojnë deri në 10 ditë deri në shfaqjen e shenjave të para. Te fëmijët shfaqen fillimisht: gjendje dobësie, këputje trupi, aq sa dhe prindërit nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh me fëmijën, derisa shfaqen elementët në lëkurë. Fëmija mund të ketë temperaturë të lehtë, 37.5-38 gradë që mund të zgjasë 1-2 ditë dhe më pas të zhduket. Më pas shfaqen elementët e një eriteme të vogël (skuqje), pas saj fillojnë bulat (flluska) të vogla të mbushura me ujë të pastër. Këto mund të jenë të shpërndara në të gjithë trupin dhe japin kruajtje të lehtë. Përveç kësaj fëmija mund të ketë skuqje fyti, pasi sëmundja kap mukozat e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Ndërsa te moshat e reja, shenjat janë më të rënda. Kështu temperatura mund të shkojë deri në 40 gradë, po ashtu puçrrat kanë përhapje më të madhe, fyti është më i acaruar, acarim i mukozës së hundës, dobësi trupore, po ashtu mund të shfaqen gjëndra të dallueshme me dorë dhe të dhimbshme, rrëzë veshit.
Mund të shfaqen komplikacione?
Po nëse nuk trajtohet në kohë dhe në mënyrën e duhur, mund të shfaqen komplikacione, dhe më e shpeshta është bronkopneumonia virale. Më pak të shpeshtë janë encefalomieliti, polineuriti, mielitet ngjitëse ose të tërthortë, neuritet optike dhe sindromi Reye
Si mund të parandalohet?
Parandalim mund të ishte kryerja e vaksinës dhe shmangia e kontaktit me personat e infektuar.
Sëmundja
Çfarë është sëmundja
Varicela (lija e dhenve) dhe zjarri i natës shkaktohen nga i njëjti virus, i zbuluar në vitin 1953. Nga ana strukturore ky virus ngjan shumë me viruset e grupit herpes. Lija e dhenve bën pjesë në sëmundjet infektive që transmetohen nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes dhe më pak me sekrecionet e hundës apo grykës. Virusi mund të veçohet nga lëngu i vezikulave (puçërr me qeskë të mbushur me lëng). Kjo është sëmundje shumë ngjitëse që prek 80% ose më shumë të personave të ndjeshëm, të ekspozuar ndaj infeksionit.