E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e Canës trondit Ari Hanin

 

Jetmir Halilaj

“Urdhëroni! Për çfarë donit të më pyesnit?”. Kjo është përgjigjja fillestare e Ari Hanit, i kontaktuar nga “Panorama” në lidhje me dëmtimin e Lorik Canës, i cili do të mungojë në ndeshjen ndaj Maltës. Menjëherë sapo njoftohet për faktin që mesfushori kuqezi është dëmtuar dhe nuk do të jetë në dispozicion të tij për këtë ndeshje, toni i zërit të Ari Hanit ndryshon krejtësisht, madje si asnjëherë më parë driblon i nervozuar çdo pyetje dhe në disa prej tyre refuzon të përgjigjet. “Cana i dëmtuar? (hesht)....Nuk e di. Nuk kam informacion për këtë gjë dhe nuk mund t’ju jap një përgjigje të saktë”, thotë trajneri. Aty për aty kthjellohet dhe kërkon të sigurohet nëse lajmi është i vërtetë duke pyetur: “Kush ua tha këtë?”. Pasi i bëhet e qartë se është vetë futbollisti ai që ka lënë të kuptohet se në ndeshjen e 11 shkurtit sipas të gjitha gjasave do të mungojë, Ari Han vazhdon sërish me një ton ku kuptohet qartë nervozizmi dhe zhgënjimi: “Nuk e di. Mendoj se nuk është mirë që të flas për këtë, ndoshta nesër (sot) ose pas disa ditësh. Nuk mund të them më shumë se kaq. Më duhet të kem informacion të saktë dhe më pas të flas”. Menjëherë pas këtyre fjalëve trajneri lë të kuptohet se dëshiron ta mbyllë bisedën dhe megjithëse pyetet nëse ka ndonjë projekt ose strategji në mendje për t’ia dalë mbanë edhe me mungesat e rëndësishme të Lalës dhe të Canës ai ia pret shkurt: “Nuk dua të bëj asnjë koment. Jo tani, ndoshta disa orë më vonë...më falni, disa ditë më vonë”.  
Shqetësimi
Lala dhe Cana konsiderohen “mushkëria” e përfaqësueses shqiptare. Shpesh herë vetëm mungesa e njërit prej tyre sjell probleme në radhët e kuqezinjve dhe tani që dyshja shkatërruese nuk është e disponueshme, me të drejtë Ari Han mbetet i zhgënjyer. Atij do t’i duhet të improvizojë shumë në takimin ndaj Maltës, ndonëse këtë herë pa dëshirën e tij. Ndërkaq, tekniku i përfaqësueses shqiptare duhet të bëjë llogaritë me pjesën dërrmuese të lojtarëve aspak në formë. Beqaj, një nga pikat e forta vazhdon të jetë i dëmtuar, Bogdani, Kapllani dhe Salihi nuk kanë pasur marrëdhënie të mira me golin deri tani, ndërkohë që Curri, Dallku, Bulku dhe Berisha, nuk luanë që nga fundi i muajit nëntor një ndeshje zyrtare. Bëhet fjalë gjithnjë për një skuadër modeste si Malta, por fitoret për Shqipërinë (e thënë kapiten Lala), asnjëherë nuk janë të lehta. Për kuqezinjtë kjo është një ndeshje vendimtare, pasi konsiderohet si shansi ideal për të marrë tri pikët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›