Librat që duhen lexuar përgjatë jetës
Një udhëtim i gjatë në vende, mes njerëzish e jetëve të ndryshme. Rrugëtim nëpër shekuj, në histori popujsh e individësh. Një udhëtim në mijëra tituj librash. Londinezja “The Guardian”, e përgatit lexuesin e saj me një rrugë të gjatë leximesh. Për të qenë sa më e dobishme, redaksia e kulturës preferon që ta drejtojë lexuesin drejt një listë titujsh. Bëhet fjalë vetëm për romane, pa përfshirë këtu gjini të tjera letrare si poezia, poema, apo drama. Nuk pretendon se këto janë romanet më të bukur të së gjitha kohërave, por ata që me të vërtetë ia vlejnë të lexohen. Ekspertë letërsie kanë bërë një seleksionim të gjatë. Kanë grupuar tituj e autorë, në bazë të temave që i bashkojnë. Bëhet fjalë për kolanat mbi luftën dhe udhëtimet, familjen dhe veten, popujt, dashurinë, krimin, fantashkencën dhe librat-komedi. Autorët janë klasikë e bashkëkohorë. Autorë të mëdhenj, ikona të letërsisë botërore dhe mite të rinj, që kanë nisur të ngrihen së fundmi. Nëse do të mësosh më shumë për botën dhe popujt, “The Guardian” të drejton në udhëtimet e Robinson Kruzosë e Kapiten Nemos, në historitë njerëzore të Dikensit, Balzakut, Hygoit e Zolasë, për të ardhur tek Solzhenicin e ca më vonë tek Rushdie. Në këtë aradhe shkrimtarësh të mëdhenj, “The Guardian” rendit edhe shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare. Bëhet fjalë për romanin e tij “Kronikë në gur”, një prej veprave të tij të para, por që specialistët e kanë parë si veprën më të mirë për të kuptuar shpirtin e një populli dhe gjendjen e Shqipërisë, në vitet që evokon shkrimtari.
Nëse do të mësosh për luftën, atëherë ia vlen të lexosh librat e shkrimtarëve të brezit të humbur, Remark, apo Heminguej, që kanë përjetuar vetë luftërat botërore të fillimshekullit të XX-të, për të ardhur në kohërat moderne e për të përjetuar ankthin dhe tmerrin si të ishim vetë të pranishëm në Afganistan përmes librave të Khaleid Husein. E sigurisht ia vlen të lexosh më shumë familjen e të hulumtosh më shumë brenda vetes. Për këtë kategori librash rekomandohen autorë si Honore de Balzak “Evgjeni Grande” dhe “Xha Gorioi”, Fjodor Dostojevski me “Vëllezërit Karamazov”, Ernest Heminguej me “Plaku dhe deti”, Henri Xhejms me “Ambasadorët”, Xhek London me “Martin Iden”, etj.
Ka edhe nga ata që fantazia u fluturon ca më larg se e përditshmja. U pëlqen misteri, e errëta. “The Guardian” kënaq edhe adhuruesit e librave me tmerre, me vampirë e doktorë të marrë. Edhe këtu kemi një listë prej 1000 titujsh, ku spikasin edhe autorë si Franc Kafka, Umberto Eko, Herman Hes, Doris Lesing me “Kujtimet e një të mbijetuari”, Salman Rushdie me “Vargjet satanike” e padyshim mjeshtrit e horrorit Stefen King, Meri Sheli me të famshmin “Frankeshtain”, apo Bram Stoker me “Drakula”. Ndër shtatë seritë e përzgjedhura, duket se ajo e dashurisë është më e thjeshta. Është shkruar shumë mbi dashurinë, madje romancat rozë janë në modë dhe rezultojnë ndër librat më të shitur. Por vështirësia qëndron pikërisht këtu: T’i rekomandosh lexuesit libra të mirë, që të rrëmbejnë, emocionojnë e të mos ndiesh dhimbje stomaku, sikur sapo ke ngrënë diçka të prishur. Disa ndër autorët dhe titujt e kësaj serie janë: Truman Kapot me “Mëngjes tek Tifania”, F. Skot Fitxherald me “Getsbi i madh”, Gustav Flober me “Zonja Bovari”, Johan W. Gëte me “Trishtimi i djaloshit Verter”, Ernest Heminguej me “Lamtumirë armë”, Elfrid Jelinek me “Mësuesja e pianos”, Nikos Kazanzaqis me “Zorba”, Gabriel Garsia Markez me “Dashuri në kohërat e kolerës”, Boris Pastërnak me “Doktor Zhivago”, Leon Tolstoi me “Ana Karenina”.
Nuk mund të mungojnë edhe librat e verdhë, me mendje të sëmura e krime pasiononte. Ndër ta mund të renditen Fjodor Dostojevski me “Krim dhe ndëshkim”, Teodor Drajzer me “Një tragjedi amerikane”, Aleksandër Dyma me “Konti i Monte Kristos”, Umberto Eko me “Emrin e trëndafilit”, Orhan Pamuk me “Emri im është e kuqja”. Një tjetër seksion është komedia, që në këtë rast nuk lidhet e humorin. Sigurisht, lexuesi mund të vërë buzën në gaz, por jo të shqyhet së qeshuri. I rëndësishëm është thelbi. Një nga shtyllat e letërsisë botërore “Don Kishoti” i Migel Servantesit përfshihet pikërisht në këtë kolanë. Sipas “The Guardian”, nuk mund të vdesësh pa lexuar këta libra.
Përgatiti: Alma Mile