Berisha: Çfarë më ofroi Rama që të mos bëja koalicion me Ilir Metën
BLENDI FEVZIU
Rama ka bërë të gjitha përpjekjet që Partia Demokratike të bëjë koalicion me PS-në dhe jo me LSI-në pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Deklaratën e bëri mbrëmë në emisionin “Opinion” në TV Klan, kryeministri Sali Berisha, sipas të cilit ofertat e ardhura nga selia rozë pas zgjedhjeve ishin të shumta. “Ka bërë përpjekje dhe ka pasur propozime të ndryshme, qoftë për koalicion, qoftë për mbështetje të jashtme, por të mos bëhej koalicion me LSI-në. Por këto nuk kanë qenë në kohën e duhur dhe në vendin e duhur”, u shpreh kreu i qeverisë. Berisha theksoi gjithashtu se Presidenti Topi nuk mund t’i kthejë atij emrin e Fatmir Mediut si ministër i Mjedisit, pasi, duke iu referuar Kushtetutës, kryeministri tha se kjo e drejtë i takon Parlamentit. Në të njëjtën kohë, Berisha foli edhe për ndërtimin e kabinetit të ri dhe përfaqësimin në të të grupimeve të ndryshme të PD-së.
Ky kabinet me këto emra duket pak si PD e të rikthyerve dhe KOP-it. PD e vjetër nuk është prezente. Krijon sensibilitet te PD e vjetër?
Për mua nuk ekziston PD e vjetër dhe PD e re. Disa prej këtyre personaliteteve janë sot ministra, kanë pasur periudha të caktuara kundërshti të mëdha me mua. Mirëpo secili prej tyre, pavarësisht nga kjo ka merita të padiskutueshme në PD që nga themelimi. Rikthimi i tyre në PD ka qenë i mirëpritur nga unë. Në vendimet e mia nuk mund të jem zemërthyer. Unë kam faktuar jo me ish-bashkëpunëtorët e mi, kam shumë kënaqësi që Neritan Ceka bashkëpunon sot me mua në fushën e kulturës. Kur ka ardhur ai në PD e kam konsideruar në atë kohë një ngjarje shumë pozitive. Me këdo që kam bërë koalicion s’do gjesh një njeri që do thotë që Berisha nuk ishte luajal. Këta sot janë në partinë e tyre, aty ku kanë investuar. PD sot është më e plotë se kurrë, sikundër nuk është vetëm Bode, sepse po të themi vetëm Bode është edhe Olldashi, edhe Nishani. Unë e konsideroj këtë një plotësim. E kam pritur me shumë kënaqësi bashkimin me Pollon, i cili u shkëput. Politika nuk është arti i inateve. Anëtarësia ime e ka pritur shkëlqyer.
Emrat që shpallët ishin surprizë, ka mungesë transparence që mund të krijojë të pakënaqur?
Emrat janë konsultuar me bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë, me zonjën Topalli, zotin Patozin, zotin Bode pjesërisht. Është bërë studim dhe ristudim. I jam mirënjohës edhe Metës që qeveria të vazhdojë punën. Nëse do nxirrnim emra në tregun mediatik, demobilizohej administrata. Largimi i ministrave që u larguan ishte dinjitoz. Ata nuk janë larguar për mossukses. S’ka deputet që s’duhet të mendojë se s’do bëhet ministër.
Në 2001 keni akuzuar Metën për vjedhjen e zgjedhjeve dhe korrupsionin ku një pjesë e madhe drejtohej te KESH...
Ilir Meta ka disa vite në partinë e tij në opozitë. I ka rezistuar presioneve më të fuqishme të dyanshme edhe të PS, por edhe të PD. Ajo është një forcë politike e konsoliduar. Marrëveshja politike është marrëveshje politike. Nëse vendos të bësh marrëveshje politike, detyrimisht do të zbatosh mbi bazën e një marrëveshje politike. Çfarë do t’u thosha unë shqiptarëve, që për shkak të 2001 do shkojmë edhe njëherë në zgjedhje se nuk bëj koalicion me Ilir Metën? Jo, jashtë çdo lloj koncepti.
A janë të përfaqësuar shtresëzimet e PD-së, Topi dhe Topalli?
Çdo njeri që në PD do të përfaqësohet ka kryetarin e tij, i përfaqësoj unë. Edhe zonjën Topalli, edhe zotin Topi e përfaqësoj unë. Ky nuk është koncept leninist. Edhe me statut partia përfaqësohet nga kryetari. Ka pasur debate, dialog intensiv. Por për përfaqësim nuk ka anëtar të PD-së që të thotë se ndihem i papërfaqësuar me Sali Berishën.
Cila ka qenë logjika që ju keni përdorur të çoni zotin Nishani te Drejtësia?
Kriteri i përzgjedhjes së Nishanit si ministër i Drejtësisë, ai është një nga drejtuesit me eksperiencë në PD. Një nga problemet më madhore të asaj ministrie është edhe sistemi i vuajtjes së dënimit. Janë komplekse. Nishani mendoj do t’i përgjigjet plotësisht kësaj detyre. Është një politikan me karrierë të gjatë në PD, me kontribute të veçanta. Mund të më shtroje pyetjen pse u lëviz nga Ministria e Brendshme? Për shkak të një operacioni (shëndetësor) i cili s’ka cenuar asgjë në kapacitetet e tij mendore. I është vështirësuar lëvizja dhe ministri i Brendshëm ka shumë shërbime jashtë vendit. Në këtë periudhë që është liberalizimi i vizave, Ministria e Brendshme është kryesoja. Në këtë drejtim është e domosdoshme një përfaqësim shumë aktiv në rrafshin ndërkombëtar. Nishani e përfaqëson me shumë dinjitet vendin. Kjo është arsyeja që Basha do t’i përgjigjej këtij momenti me një dinamizëm të kërkuar. Nishani kalon te Drejtësia me një kulturë parlamentare të madhe.
Nëse Presidenti nuk dekreton Mediun si ministër, cili do të jetë qëndrimi juaj?
Në të drejtën kushtetuese ministrat janë atribut i parlamentit dhe kryeministrit.
Kushtetuta thotë që ministri emërohet dhe shkarkohet nga presidenti me propozim të kryeministrit...
Ky është një atribut i kushtëzuar i presidentit. Nuk është një funksion ky jashtë qeverie.
Pse e ka atëherë presidenti këtë atribut?
Në një republikë parlamentare nuk ekziston kurrë president që mund të mbajë apo të vendosë ministra. Pastaj që këtu humbet parlamentarizmi. Qeveria është atribut i Parlamentit. Eshtë Parlamenti ai që ka të drejtë t’i heqë dhe t’i vendosë ministrat. Janë mekanizma tërësisht parlamentarë, jo presidencialë. Edhe kryeministrin Parlamenti mund ta kthejë.
Pse nuk i plotësoni kushtet e opozitës për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit?
Ato janë zgjedhjet e para kur rezultati i 4700 qendrave të votimit u certifikua me firmat e komisionerëve. Flasim për të burgosurit. A e dini ju që zoti Xhafa ka liruar 200 të burgosur në zgjedhjet e vitit 2005? Unë këtë e di se kam pasur listën, siç e ka pasur ai. Bojkoti është dëm i Partisë Socialiste, por është dëm edhe për vendin. Nuk e çon njeriu partinë në atë mënyrë. S’mund të fusësh ti një luftë kaq të egër brenda partisë. Ai po e shkatërron atë forcë politikë dhe kjo është shumë e gabuar.
Keni pasur propozim nga Rama për bashkëqeverisje?
Përpjekje të shumta, propozime, sugjerime të shumta.
Që të ishit ju kryeministër, apo dikush tjetër nga PD?
Që të më sugjeronte mua largimin tim, deri këtu ai nuk mund të arrinte, por ka bërë përpjekje dhe ka pasur propozime të ndryshme, qoftë për koalicion, qoftë për mbështetje të jashtme, por të mos bëhej koalicion me LSI-në. Por këto nuk kanë qenë në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.
Marrëdhëniet me PDI
Lidhur me negociatat me Partinë për Drejtësi dhe Integrim, kreu i qeverisë u shpreh se, “çdo aleat i imi në ndarjen e qeverisjes do ketë lëshime nga PD më shumë se votat. PDI ka marrë 14 mijë vota në një kohë kur PR ka 34 mijë vota. Nuk ka asnjë gjë tjetër përveç proporcionalitetit. Në këtë parti ka disa probleme. Për të mos qenë pjesë e asnjë pale kam qëndruar larg, duke i garantuar se ata do të jenë pjesë e qeverisjes”.
Ndikimi i Nanos
I pyetur nëse kishte ndikim ish-kryeministri Nano në koalicionet para dhe paszgjedhore, kreu i Ekzekutivit mohoi kategorikisht një gjë të tillë. Sipas tij, “zoti Nano nuk mendoj se ka pasur asnjë ndikim. Ka një tendencë nga kryetari i Partisë Socialiste që ta rikthejë në politikë. Ai vazhdon pushimet në Vjenë, ky i thotë Berisha-Nano dhe Meta. Nuk ka pasur asnjë ndikim”. Kreu i PS-së, Edi Rama ka akuzuar kryeministrin, ish-kreun e qeverisë dhe kreun e LSI-së për bashkëpunim në dëm të forcës që ai drejton.
Emërimi i prefektit Kruja
Kreu i qeverisë sqaroi dje edhe emërimin e Keltis Krujës në postin e prefektit të Tiranës. “Ai është një nga drejtuesit më eficientë në strukturat e rinisë së Partisë Demokratike. Në 35 breza në dijeninë time tiranas. Është një familje me një traditë tiranase. Është një njeri që është rritur në ato struktura. Disa nga bashkëmoshatarët e tij janë sot në Parlament, të tjerë janë bërë ministra. Ai u bë prefekt. S’ka asnjë lloj domethënie tjetër”.
“Topi? Ka edhe tre vjet mandat”
Kryeministri Berisha ka shmangur mbrëmë pyetjen nëse do të përzgjidhet Presidenti Bamir Topi edhe për një mandat tjetër në këtë post të votuar dy vjet më parë. “Topi ka edhe tre vjet president. Të rrimë tani të merremi me zgjedhjen e tij? Këtë nuk e pëlqej. Posti i presidentit është një post stabël, kur të vijë koha do të diskutohet edhe emri i tij”, u shpreh kreu i qeverisë. Në të gjitha deklarimet publike ai ka deklaruar se ka marrëdhënie institucionale me Presidentin Topi dhe këtë e pohoi edhe mbrëmë.