E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bushati: Qeveria e re me dy të kërkuar nga drejtësia

 

Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë se në përbërje të saj ka ministra që janë në proces me organet e drejtësisë. Deputeti i PS-së, Ditmir Bushati, tha dje se ky kabinet do të jetë qeveria e punëve të këqija. “Dje Sali Berisha pagëzoi qeverinë e vazhdimësisë së punëve të këqija që strehon dy të kërkuar nga drejtësia dhe tre të kërkuar nga populli opozitar. Në të njëjtën kohë ai dezinformoi opinionin publik në lidhje me kërkesat legjitime të opozitës, që kushtëzojnë marrëdhëniet tona me Kuvendin e Shqipërisë dhe institucionet e dala prej tij”, u shpreh deputeti socialist. Në emër të Partisë Socialiste, ai i kërkoi maxhorancës të mos hezitojë kërkesën e opozitës për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Qeveria nuk mund të vazhdojë të fshihet me kokëfortësi pas gjoja procedurave ligjore dhe parimit të ndarjes së pushtetit për mos hapjen e kutive të dyshuara të 28 qershorit, pasi opozita nuk kërkon ndryshimin e pushtetit në tavolinë, por respektimin e një detyrimi kushtetues, ligjor e moral që qëndron në themel të sistemit të demokracisë dhe lirisë që është: transparenca e plotë për votën e sovranit”, u shpreh Bushati. Deputeti socialist e konsideron të paaftë dhe pa vullnet këtë qeveri për të ndihmuar në zbardhjen e së vërtetës së zgjedhjeve.   
“Qeveria nuk mund të garantojë luftë kundër krimit të organizuar për sa kohë bashkëpunoi me krimin në zgjedhjet e 28 qershorit dhe nuk pranon hetimin e të vërtetës në lidhje me përdorimin e të burgosurve në shërbim të fushatës së saj zgjedhore. Shqipëria e sapo anëtarësuar në NATO dhe që troket në dyert e BE-së, nuk mund të prodhojë qeverisje legjitime që lind nga një vullnet i deformuar zgjedhor dhe nga përcaktimi i sinorëve të pushtetit mes krushqve qeverisës. Sot, opozita është më e vendosur se kurrë në mbrojtje të lirisë së votës së cenuar dhe do të luftojë me çdo mjet demokratik në mbrojtje të saj”, tha Bushati. Dy ditë më parë, sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, Arta Dade, i kërkoi maxhorancës të pranojë kërkesën e PS-së për hetimin e zgjedhjeve. “Kërkesa e Partisë Socialiste është ligjore dhe konform detyrimit për transparencë ndaj publikut dhe ndaj votuesve shqiptarë, si edhe në linjë me konstatimin e vëzhguesve ndërkombëtarë, që në një të tretën e zonave zgjedhore procesi i numërimit është kryer keq ose shumë keq”, u shpreh Dade.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›