Berisha firmos Nishanin për tek Ministria e Brendshme, ja prapaskenat
TIRANË- Vetëm një ditë para seancës parlamentare, ku është programuar të votohen edhe dekretet e Presidentit të Republikës, për shkarkim dhe emërim ministrash, Kryeministri Sali Berisha firmos për emrin e ri të ministrit të Brendshëm, pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, si rezultat i kandidimit të këtij të fundit për bashkinë e kryeqytetit. Bujari Nishani është ministri që do të rikthehet sërish në dikasterin që ai drejtoi për dy vite rresht. Edhe pse largimin e tij nga ky dikaster, Berisha, në shtator të vitit 2009 e motivoi për arsye shëndetësore, dy vjet më pas, vetëm dy javë para datës së zgjedhjeve vendore, kreu i ekzekutivit është detyruar të ndërmarrë të njëjtën lëvizje, por jo me të njëjtën motivacion, duke e kthyer Nishanin nga Ministria e Drejtësisë te Ministria e Brendshme, e cila pritet të luajë një rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Burime nga selia blu thanë dje për gazetën “Mapo” se arsyet e Berishës për të rikthyer Nishanin te Ministria e Brendshme, kanë qenë komplekse. Prej kohësh, kreu i ekzekutivit ka qenë në negociata me figura të rëndësishme të PD-së, por dhe me aleatë që kanë propozuar kandidatët e tyre për këtë post të rëndësishëm. Por duket se Berisha edhe këtë herë, pasi ka vlerësuar e peshuar gjithë flukset e interesave në PD e koalicion, ka vendosur për Nishanin.
Ky emërim duket si zgjedhja më e mirë e tij, për të mos krijuar qejfmbetje mes flukseve në selinë blu dhe për t’i lënë po aq pezull, në varësi të rezultatit të zgjedhjeve dy dikasteret e tjera, atë të Drejtësisë dhe Kulturës. Ministria e Drejtësisë dhe ajo Kulturës do të drejtohen nga zv.ministrat përkatës, ndërkohë që drejtimi i tyre do të bëhet pas zgjedhjeve lokale. Burimet qartësuan gjithashtu se lëvizja e Nishanit te Ministria e Brendshme nuk do të jetë e përkohshme, (pra vetëm për zgjedhjet lokale) andaj lufta pas zgjedhjeve do të fokusohet pikërisht te drejtimi i dy dikastereve të tjera. Një tjetër arsye, jo pak e rëndësishme për emërimin e ministrit të Brendshëm janë edhe incidentet e fundit me zv-ministrin e Brendshëm, Avenir Peka. Nishani është gjithashtu emri i pëlqyer edhe nga ndërkombëtarët. Raporti i fundit i OSBE\ODIHR për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 citonte punën e mirë të Policisë së Shtetit në mbarëvajtjen e zgjedhjeve, duke e bërë Nishanin një figurë të qetë dhe të pranueshme për këtë fushatë shumë të ndezur nga incidentet në të gjithë vendin. Në vitin 2005, Bujar Nishani është zgjedhur anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas edhe anëtar i kryesisë qendrore të kësaj partie. Në Korrik të vitit 2005, ai u zgjodh deputet në zonën elektorale 34, në Tiranë si përfaqësues i Partisë Demokratike. Në muajin mars të vitit 2007, Bujar Nishani u emërua ministër i Brendshëm, detyrë të cilën ai e mbajti deri në muajin shtator të vitit 2009, periudhë në të cilën ai do të propozohej për të drejtuar një tjetër dikaster, atë të Drejtësisë. Në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës, Bujar Nishani u rizgjodh deputet i Qarkut Tiranë.