Berisha firmos në monumentin NEWBORN
Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga zonja e tij, Liri Berisha, dhe delegacioni qeveritar, vizitoi sot në mesditë monumentin “Neë born”, struktura prej hekuri e vendosur në 17 shkurt të vitit 2008 në një nga sheshet kryesore të Prishtinës, si simboli i pavarësisë së Kosovës. Në prani të shumë qytetarëve kosovarë, që kanë përshëndetur vizitën e Kryeministrit Berisha në Kosovë, kreu i qeverisë së Shqipërisë dhe zonja e tij, Liri Berisha, vendosën në mënyrë simbolike firmat e tyre në monumentin e pavarësisë. “Neë born”, 3 metra i gjatë, 1 metër e lartë dhe me peshë 1 ton, u konceptua nga Fisnik Ismajli, 35 vjeç, specialist në fushën multimediale dhe ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me këtë punim artistik ai ka arritur të fitojë mjaft çmime ndërkombëtare, si ‘Luani i lartë” në Kanë të Francës, ‘Clio i argjendë” në Majami, etj. Ishte ideja e tij personale për të realizuar këtë obelisk kushtuar pavarësisë se Kosovës, por që më pas u mbështet unanimisht nga qeveria e këtij vendi. Vepra monumentale, e cilësuar si emblema kryesore e pavarësisë së Kosovës, u përurua mbrëmjen e 17 shkurtit të vitit të kaluar, disa orë pas deklaratës zyrtare të Pavarësisë. Tullumbace të shumta u lëshuan në ajër, ndërsa disa qindra njerëz vendosën në mënyrë simbolike firmat e tyre mbi këte vepër, mes të cilëve Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, të pranishëm në ceremoninë e përurimit të monumentit. Veç firmave të shumta, qytetarët kanë shkruar edhe shprehje te tilla si "Rroftë Kosova" apo "Jam krenar për shqiptarinë".
...