Shembet një hotel në Golem, plagosen 4 maturantë kosovarë

Disa nxënëse kosovare, që kanë ardhur në ekskursion me shkollën, janë dëmtuar sot aksidentalisht si pasojë e shpërthimit të boljerit ngrohës të ujit në një nga dhomat e hotelit në zonën turistike të Golemit, në rrethin e Kavajës. Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 07.20 në mjediset e hotel “Elesio”, ku ishin sistemuar nxënësit e shkollës profesionale mjekësore “Asllan Elezi” të Gjilanit. Burime zyrtare nga komisariati i policisë së Kavajës bënë të ditur se "gjithçka ka ndodhur si pasojë e shpërthimit të bojlerit ngrohës të ujit, që ka shkaktuar edhe dëmtimin e faqes së murit të dhomës ku ndodheshin nxënëset. Katër vajza, ndër të cilat njëra më rëndë, janë dëmtuar në pjesë të ndryshme të trupit dhe dy autoambulanca i kanë transportuar ato në qendrat mjeksore më të afërta. Burimet saktësuan se tre prej tyre nuk kanë probleme të mëdha shëndetësore, ndërsa e katërta është dërguar për kurim në spitalin rajonal të Durrësit. Ndërkohë, burime zyrtare nga spitali rajonal thanë se 17-vjeçarja Shkurte Metushi po mjekohet intensivisht për shkak të disa frakturave në trup.
...