Kosova me standardet më fisnike të lirive dhe të drejtave të monitorimeve

Kryeministri Berisha shpreh besimin në një takim me përfaqësues të minoriteteve në Kuvendin e Kosovës
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka shprehur bindjen dhe besimin se në Kosovë do të vendosen standardet më të gjera dhe më fisnike të lirive dhe të drejtave të minoriteteve dhe format më të mira të decentralizimit. “Ky është një shembull i mirë dhe duhet të përbëjë një precedent pozitiv edhe në Shqipëri”, tha Kryeministri Berisha, në takimin që zhvilloi me përfaqësues të minoriteteve në Kuvendin e Kosovës, në kuadër të vizitës dy ditore që po zhvillon në këtë vend. Kreu i qeverisë së Shqipërisë u takua me Sllobodan Petrovic, anëtar i kryesisë së Kuvendit të Kosovës, nga Partia Liberale Serbe, si dhe me përfaqësues të minoritetit turk, boshnjak dhe ashkali, pjesë të grupit të 7 parlamentar në Kuvendin e Kosovës. Sikurse dhe në takimet dhe konferencat e përbashkëta për shtyp që pati dje, në ditën e parë të vizitës në Kosovë, Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e përfaqësuesve të minoriteteve në Kuvendin e shtetit më të ri në botë dhe i siguroi ata se për të çështja e të drejtave të minoriteteve përbën gjithmonë temën më të rëndësishme në diskutimet me autoritetet e Kosovës. Kryeministri Berisha nisi dje një vizitë zyrtare në Kosovë, e para pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008. Vizita e Kryeministrit nisi me një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Thaçi Thaçi, ku u nënshkruan dhe 6 marrëveshje bashkëpunimi. Më pas, ai pati një takim dhe një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin Sejdiu, ndërsa mbajti një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Kosovës. Axhenda e ngjeshur e Kryeministrit vijoi me një takim me përfaqësuesit e biznesit, me një homazh në vendin ku prehet ish-Presidenti Ibrahim Rugova, me përfaqësuesit e partive parlamentare në Kuvendin e Kosovës, etj. Në ditën e parë të vizitës në Kosovë, Kryeministri u nderua me "Medaljen e Artë të Lirisë”, akorduar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe titullin “Doktor Honoris Causa” nga Universiteti i Prishtinës në Kosovë. Sot në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, Kryeministri Berisha udhëtoi në Prekaz, ku zhvilloi homazhe dhe një vizitë në familjen e Heroit Adem Jashari. Ai është takuar me përfaqësuesin e BE, z. Pieter Feith dhe Komandantin e KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Leitnant Markus Bentler, për të zhvilluar më pas një vizitë në monumentin “Neë Born”, në Prishtinë. Kryeministri Berisha do të ndalet dhe në qytetin e Prizrenit, ku do të marrë titullin “Qytetar Nderi i Prizrenit" dhe më pas do të vizitojë bjeshkën e Prevallës
...