Berisha, fjalim në OKB: Ne bëmë zgjedhje të lira, e meritojmë BE-në
Kryeministri Sali Berisha i njohu mbrëmë krerët e vendeve të OKB-së me reformat e suksesshme të qeverisë, se si Shqipëria zhvilloi zgjedhje të lira dhe demokratike më 28 qershor dhe nisur nga kjo, shqiptarët meritojnë të gjithë mbështetjen e tyre për hyrjen në BE. Z. Berisha iu drejtua mbrëmë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së me një fjalim përmes së cilit bërë prezente proceset integruese të vendit tonë. Njëherësh ai iu drejtua me një thirrje të gjithë liderëve botërorë që të njohin shtetin e Kosovës dhe të mbështesin integrimin e shqiptarëve në familjen evropiane. Pasi ka përmendur faktin se Shqipëria është një faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon, kreu i qeverisë, Sali Berisha, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, bëri një ekspoze të situatës së vendit tonë pas krizës ekonomike globale. Por, ai u ndal gjatë në përmbushjen e reformave integruese dhe realizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike më 28 qershor. Z. Berisha në fjalën e tij u përqendrua në dy drejtime, në reformat e vendit si dhe në pavarësinë e Kosovës. Kryeministri shqiptar deklaroi përpara liderëve të botës se Shqipëria realizoi një proces demokratik zgjedhor dhe është në pritje të hapjes së dyerve të integrimit për vendin e tij drejt Evropës së bashkuar. Z. Berisha kërkoi nga vendet pjesëmarrëse që të investojnë në Shqipëri, pasi ajo përben një resurs të vërtetë për investimet e huaja. “Shqipëria është e hapur për investime. Vendi im është i hapur ndaj formave të reja të prodhimit të energjisë”, - deklaroi Berisha në OKB. Më pas, kreu i ekzekutivit renditi sukseset e qeverisë shqiptare gjatë këtyre viteve. Duke folur për Kosovën, ai tha se shteti më i ri i Ballkanit është shndërruar në një faktor të rëndësishëm stabiliteti në rajon dhe se vendet anëtare të OKB-së duhet që të njohin pavarësinë e Kosovës. Më tej në fjalën e tij, z. Berisha u fokusua në mbështetjen e Shqipërisë dhe kontributin e saj për paqen dhe sigurinë globale në kuadër të NATO-s e më gjerë. Fjalimi i tij në punimet e Asamblesë së 64-t të Organizatës së Kombeve të Bashkuara u ndoq me interes të madh, veçanërisht nga pala kosovare, e cila ende nuk është bërë anëtare e OKB-së. Pak më herët, gjatë prononcimeve televizive, Kryeministri Berisha siguroi se ka marrë garanci për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Zoti Berisha vlerësoi takimet dhe premtimet për liberalizimin e vizave, statusin e vendit kandidat, por edhe lobimin për zgjerimin e njohjes së Kosovës nga shtetet e tjera anëtare të Kombeve të Bashkuara. “Në këto takime pata mundësi të jashtëzakonshme dhe një rast shumë të mirë për të lobuar për pavarësinë e Kosovës. Pata biseda të shumta me kryetarë shtetesh e qeverish, të përqendruar në integrimin evropian të vendit, nga të cilët mora siguri të plotë se ky integrim po ecën normalisht në të gjitha stadet e vendimmarrjes”, - tha Berisha. Duke folur për takimin me Presidentin Obama, shefi i qeverisë deklaroi se kishte marrë premtimin për një vizitë të tij në Tirane. “Pata një takim të shkurtër me Obamën. Presidenti vlerësoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe më siguroi se do të vizitojë Shqipërinë dhe ky është një premtim i rëndësishëm”, - u shpreh Berisha. Ndërkaq, Berisha që nga Shtetet e Bashkuara i kërkoi opozitës të respektojë zgjedhësit dhe të kthehet në Parlament.
“Mbetemi të hapur të bashkëpunojmë me opozitën, të cilën në Parlament nuk e ka caktuar qeveria, po ata që kanë votuar kundër qeverisë. Mendoj se është një detyrim ndaj elektoratit dhe vendit në tërësi për të ndërmarrë përgjegjësitë parlamentare”, - theksoi Berisha.