Meta takon Lajcak dhe Aman: Lobim për Kosovën shtet
Ministri i Punëve të Jashtme z. Ilir Meta kërkon mbështetjen e homologëve të huaj për njohjen e sa më shumë vendeve të Kosovës shtet. Meta u takua me homologun sllovak Miroslav Lajcak dhe malajzian Datuk Anifah Aman në Nju Jork dhe mori pjesë në takimin vjetor të OKI. Gjatë takimit me kolegun sllovak, krahas marrjes së konfirmimit të mbështetjes për Shqipërinë gjatë procesit të integrimit evropian dhe liberalizimit sa më të shpejtë të vizave, z. Meta mirëpriti vendimin e qeverisë sllovake për hapjen së shpejti të ambasadës sllovake në Tiranë dhe e ftoi ministrin Lajcak që të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tiranë me rastin e çeljes së ambasadës. Me ministrin e Jashtëm të Malajzisë, z. Meta u ndal në ndihmën që ky vend mund të japë në lobimin me vendet e rajonit për njohjen e mëtejshme të shtetit të Kosovës. Më tej, zv.kryeministri Meta shprehu dëshirën për një prani sa më të madhe me investime të biznesit malajzian në Shqipëri. Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm Meta mori pjesë gjithashtu në veprimtari të karakterit shumëpalësh, si takimi i ministrave të jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, BEDZ, dhe takimi vjetor i Ministrave të Punëve të Jashtme të Organizatës së Konferencës Islamike. Në Komunikatën Finale të ministerialit të OKI-t u miratua midis të tjerash edhe një paragraf mbi Kosovën, në të cilin evidentohet qartë se, që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Kosova ka bërë progres të dukshëm në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe ka krijuar kuadrin e nevojshëm ligjor dhe institucional, dhe se pavarësia e saj ka kontribuar në paqen dhe stabilitetin në rajon. Po ashtu, ministrat e jashtëm të OKI-t mirëpritën anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Më tej, ministri Meta mori pjesë së bashku me Kryeministrin Berisha në pritjen vjetore të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, NAAC, ku ishin të ftuar personalitete të larta të politikës ndërkombëtare, midis të cilëve Presidenti Marti Ahtisaari, ambasadori Frank Wisner etj.
Berisha siguron Komsic: Keni mbështetjen tonë për në NATO
Shqipëria garanton Bonsje-Hercegovinën se do të ketë mbështetjen e saj në procesin e anëtarësimit në NATO. Kryeministri Sali Berisha vlerëson nga Nju Jorku se Bosnje-Hercegovina ka bërë hapa përpara në rrugën e saj drejt integrimit në NATO dhe Shqipëria do të mbështesë integrimin e saj në strukturat euroatlantike. Në vijim të vizitës së tij në Nju Jork, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Presidentin e Bosnje-Hercegovinës, z. Zeljko Komsic. Kryeministri Berisha dhe Presidenti Komsic nënvizuan se Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina ndajnë bashkë objektivin madhor të anëtarësimit në NATO dhe si rrjedhim edhe përmbushjen e standardeve dhe kritereve për realizimin e këtij objektivi, ndaj bashkëpunimi dhe ndarja e përvojës reciproke është shumë e rëndësishme. Gjatë takimit, Kryeministri Berisha dhe z. Komsic u shprehën se është një kënaqësi që marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira, veçanërisht ato politike. Të dyja palët ranë dakord, gjatë bisedës, që të punohet përmes vizitave të nivelit të lartë për intensifikimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ekonomik me interes të përbashkët, në kuadër të një bashkëpunimi mjaft të rëndësishëm rajonal. Kryeministri Berisha e njohu Presidentin Komsic me reformat dhe arritjet në fushën ekonomike, duke nënvizuar se disa kompani të vendit mik tashmë operojnë me sukses në Shqipëri dhe se Shqipëria mirëpret dhe mbështet që të tjera kompani të vijnë e të investojnë, duke shfrytëzuar potencialet e mëdha të vendit në fusha të ndryshme si turizmi, infrastruktura, energjia etj. “Të dy vendet kanë potenciale të mëdha bashkëpunimi, projektet rajonale duhet të jenë intensive dhe të shfrytëzojnë këto potenciale”, - u shpreh Kryeministri. Presidenti i Bosnje-Hercegovinës falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e saj në NATO dhe u shpreh se rruga e përbashkët duhet të jetë drejt Bashkimit Evropian dhe se ai mbështeste projektet rajonale të cilat do të ndihmojnë në realizimin e këtyre qëllimeve.