BE, Creanen: Shqyrtim sa më të shpejtë aplikimit të Shqipërisë
Presidenca suedeze, e cila ka kryesimin e radhës së BE-së, këmbëngul për marrjen në shqyrtim në mënyrë urgjente të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. Përfaqësuesja e përhershme e Suedisë pranë Bashkimit Evropian, znj. Anna Craenen, shpreson që aplikimi i kandidaturës së Shqipërisë të shqyrtohet sa më shpejt, në mënyrë që Komisioni të mund të nisë përpilimin e opinionit. "Ne llogarisim që të mund t'i dërgojmë Komisionit aplikimin e Shqipërisë së shpejti për të dhënë opinionin e tij tashmë që procedurat zgjedhore kanë përfunduar", - shprehet znj. Creanen. Deklaratat për ecurinë e vendeve të Ballkanit, përfaqësuesja e Presidencës suedeze të BE-së i dha gjatë takimit të parë të komitetit të përbashkët konsultativ të shoqërisë civile mes Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë. Bashkimi Evropian do të vijojë axhendën e programuar për çështjet që lidhen me Ballkanin. Menjëherë pas publikimit të nismës europarlamentare për përfshirjen e Shqipërisë dhe Bosnjës në të njëjtin bllok me 3 vendet e tjera përfituese të rajonit për heqjen e regjimit të vizave “Schengen”, përfaqësuesja e Presidencës suedeze të BE-së, Anna Craenen, bën të ditur se liberalizimi i vizave do të bëhet në momentin kur këto dy vende do të përmbushin kushtet, duke ndjekur më pas procedurën aktuale. Presidenca evropiane gjithsesi vlerëson sikundër dhe Parlamenti, se kosovarëve u duhet dhënë një mesazh i qartë për lëvizjen e lirë në të ardhmen, megjithëse me Kosovën, Bashkimi Evropian nuk ka ende në fuqi as marrëveshje për lehtësimin e vizave. "Bosnja dhe Shqipëria do t'i bashkëngjiten kur të kenë përmbushur kushtet e kërkuara. Është e rëndësishme po ashtu që Kosovës t'i jepet një perspektivë evropiane për lëvizje të lirë në të ardhmen", - u shpreh znj. Anna Creanen. Por, dy ditë më parë, Kryeministri Sali Berisha që nga Nju Jorku, ku po ndjek punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, u shpreh optimist, madje duke caktuar dhe afate se kur do të realizohet ëndrra e shqiptarëve. Sipas Kryeministrit, shqiptarët do të mund të lëvizin të lirë në vendet e BE-së, brenda vitit të parë të mandatit qeverisës. Berisha vuri në dukje se ekziston vullneti i plotë i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për sa i takon shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. “Jam i bindur se shpejt do ta shqyrtojnë dhe do të japin përgjigjen më të mirë, pozitive për Shqipërinë. Ka një skedulë, ka një axhendë për to, e cila po zhvillohet sipas përcaktimeve të përbashkëta midis Shqipërisë dhe Komisionit Evropian”, - është shprehur Berisha. Për sa u takon kushteve që diplomatët e BE i kanë kërkuar vendit tonë të plotësojë për të hequr vizat, Kryeministri ka deklaruar se po punohet në këtë drejtim. Së pari, sipas tij, janë pasaportat biometrike. “Nuk mund të mohohet se kemi qenë më mbrapa se vendet fqinje me këto dokumente që janë shumë të rëndësishme dhe Komisioni Evropian ka tendencën ta vlerësojë këtë dhe jo ta injorojë një të tillë, - tha Berisha. - Pra, unë jam fare optimist se nuk ekzistojnë më probleme politike, janë teknikalitete që kërkojnë të zgjidhen dhe Shqipëria, brenda vitit të parë të mandatit të kësaj qeverie, do të marrë vendimin për liberalizimin e vizave”.