E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha flet për skenarin e protestës: Deputetët do t’i bashkohen protestuesve të zonave të tyre

TIRANË, 21 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi në rrjetet sociale me qytetarët, e cilësoi protestën e nesërme, si një “detyrë qytetare për të mbrojtur shtetin ligjor”.

Berisha tha se protesta do të shërbejë si një shprehje e fuqishme e qytetarëve ndaj qeverisë dhe vendimeve që e kanë penguar Shqipërinë në rrugën e integrimit.

“Është një detyrë e çdo qytetari shqiptar, pavarësisht nga bindjet e tij, se unë jam i bindur se shqiptarët votojnë për një Shqipëri në Evropë, një Shqipëri që integrohet në BE, votojnë për një Shqipëri që respekton shtetin ligjor, që lufton në mënyrë të vendosur dhe ligjore korrupsionin, të bashkohemi nesër në ora 6 në rrugët dhe sheshet e Tiranës për të treguar forcën tonë, shpirtin tonë të pamposhtur me kryengritjen më të madhe paqësore që ka njohur Tirana”, tha ai.

Kreu i PD-së u shpreh se protesta e qëndrueshme dhe e vazhdueshme është rruga e vetme e përmbysjes së regjimit.

“Deputetët kanë porosi të mos rrinë të parët, por të shkojnë kryesisht tek qytetarët e rretheve të tyre, e zonave të tyre në protestë. Edhe mund të ndryshojë, por kjo ka qenë një taktikë dhe një qëndrim i yni, që ata të rrinë me qytetarët. Mbase duhet të qëndronin në krye aty ku rri unë me një grup të vogël dhe me të tjerë. Gjatë këtyre ditëve ata punojnë dhe kanë punuar që pjesëmarrja të jetë sa më e madhe”, bëri të ditur Kreu i PD-së.

Berisha gjithashtu vlerësoi qëndrimet e institucioneve ndërkombëtare, duke theksuar se ato kanë mbështetur sundimin e ligjit dhe kërkesat e opozitës për transparencë dhe llogaridhënie.

“Pra mund të them se, komuniteti ndërkombëtar ka mbajtur qëndrime kundër grushtit të shtetit që po bën Edi Rama me bllokimin e drejtësisë, dhe në mbështetje të funksionimit të shtetit ligjor, në mbështetje të kushtetutës dhe në mbështetje të kërkesave të opozitës shqiptarë që janë në këtë linjë.

“Do të jemi në vetë, të mbështetur jemi ne sot, sepse po luftojmë për një kauzë të drejtë, një qeveri që bllokon luftën kundër korrupsionit që shndërron zgjedhjet në farsë nuk ka legjitimitet ndaj dhe po bëjmë gjithçka për largimin e saj”, tha Berisha.

Duke folur për rolin e mediave dhe rrjeteve sociale, Berisha nënvizoi rëndësinë e përdorimit të tyre sipas tij “për të shmangur censurën dhe manipulimin e narkodiktaturës”.

“Secili nga ne duhet të denoncojë, të shkruajë, të komentojë pa u lodhur sepse kjo brigadë puthadorësh që nga mëngjesi gjer në darkë përpiqen në mënyrat nga më të ndryshmet të mbrojnë Edi Ramën, në çdo lloj forme, edhe duke u depersonalizuar në shkallë ekstreme, përbëjnë vërtet një faktor tepër të dëmshëm të kësaj diktature”, tha Berisha.

/m.q/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›