E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debatet në PS, kush voton kundër grupit përjashtohet

SHKRUAN: Fejzi Braushi 23-11-2011 11:29

Pas rrjedhjes së votave nga grupi i PS-së seancën e kaluar, dje Rama dhe deputetët kanë kërkuar respektim të statutit, duke paralajmëruar se “ata që do të dalin kundër vendimeve në Kuvend do të vetëpërjashtohen”

Seanca e fundit ku nisi të zbatohej konsensusi i arritur mes mazhorancës dhe opozitës i ka djegur jo pak kreut të PS-së, Edi Rama. Kjo jo për shkak të përmbajtjes së paktit, por mënyrës sesi u sollën një pjesë e mirë deputetëve socialistë ndaj tij, si dhe çështjeve të tjera që u votuan atë ditë në seancë. Pra, bëhet fjalë për të gjithë ata deputetë që votuan në kundërshtim me vendimin e grupit, qoftë për 2 kodet e miratuara, ashtu edhe për votimin e guvernatorit Ardian Fullani. Ndaj, kryetari i PS-së, Edi Rama, i pakënaqur nga ky veprim, i përsëritur, ka paralajmëruar dje deputetët e vet gjatë mbledhjes së grupit se do të zbatohet statuti i partisë për të gjitha rastet e ngjashme, kur një deputet për çfarëdo arsye do të votojë kundër vendimit që do të merret paraprakisht nga grupi.

Grupi

Pas fjalës së përjavshme që mbajti Rama, grupi parlamentar ka zhvilluar me dyer të mbyllura mbledhjen e tij të zakonshme, e cila ka zgjatur për më shumë se 2 orë e 30 minuta. Çështja që ka sjellë më shumë debat mësohet se ka qenë një pikë sa delikate aq edhe shqetësuese për kompaktësinë e grupit; disiplina në grup dhe respektimi i statutit. Rama, duke u nisur pikërisht nga seanca e fundit plenare, ku deputetët socialistë votuan në mënyra të ndryshme për çështje të ndryshme, duke mos respektuar vendimet e marra në grup, ka njoftuar që në fillim deputetët e tij se që tani e tutje do fillojë të respektohet statuti edhe në pikën e disiplinës. Kështu, Rama mësohet se ka theksuar se liria që ekziston në këtë forcë politike në disa raste është keqpërdorur. Ndaj, ka theksuar ai, kushdo që do të dalë kundër vendimeve politike për ato raste që do ketë një të tillë, atëherë ai deputet do të jetë i vetëpërjashtuar. Hapja e një teme të tillë ka sjellë reagimin e një pjese të mirë të deputetëve, që në seancën e fundit votuan ndryshe nga sa ishte vendosur më parë në mbledhjen e grupit. Njëri prej tyre ka qenë edhe deputeti Erion Braçe, i cili ka sqaruar se vota e tij abstenim për kodet që u miratuan herën e shkuar në seancë plenare ka qenë në shenjë të mospajtimit me konsensusin pa kushte që dha PS-ja, ndërkohë që mazhoranca vijonte vjedhjen e mandateve të socialistëve në qarqe. Natyrisht, Rama, i cili për shkak të takimit të përjavshëm edhe me aleatët e opozitës i është dashur të largohet nga mbledhja para kohe, ka gjetur rastin ta këshillojë deputetin Braçe edhe për qëndrimet e tij kritike ndaj aleatëve, ku së fundmi ai i quante ata si “tartabiqe”.

Vendimi

Burime nga grupi kanë bërë të ditur se, pavarësisht rasteve të përsëritura të votës kundër vendimit të grupit, të gjithë deputetët kanë qenë për respektimin e statutit dhe të rregullores së grupit, pra për respektimin e vendimeve politike. Kështu, mësohet se në grup ka mbizotëruar fryma për të mbajtur qëndrime të unifikuara, për çështjet delikate, siç është edhe ajo për kreun e ri të KLSH-së. Kështu, grupi ka vendosur që të ketë një votë të përbashkët kundër Bujar Leskajt.

Debatet e deputeteve në mbledhjen e grupit

Edi Rama: Duke respektuar sakrificat e të gjithëve, jam i mendimit se çështjet janë të qarta dhe s’ka nevojë për analiza. Shpesh janë vënë re qëndrime jo të unifikuara të grupit, çka tregon se ne jemi një forcë që kemi liri, e cila për fat të keq në ndonjë rast edhe është keqpërdorur. Ndaj, dua të bëj të qartë se ka ardhur koha që të gjithë duhet të respektojnë vendimet politike të grupit. Natyrisht, kjo nuk do të thotë që të mos ketë debate apo mendime të ndryshme, të gjithë mund të flisni, mund të shpreheni lirshëm, por në fund do ketë një vendim që duhet të respektohet. Kush vepron ndryshe, dihet se do përballet me parashikimet që bëhen në statut, pra është i vetëpërjashtuar. Natyrisht, dua të them dhe diçka tjetër, që nuk është e ndershme që ato që themi ne në mbledhjet tona, në forumet tona, të dalin të nesërmen në faqet e gazetave.

Erion Braçe: Unë nuk kam qenë dakord me mënyrën sesi u procedua me konsensusin pa kushte. Ndaj dhe vota ime abstenim ka qenë në këtë kuadër, për të treguar se nuk isha dakord që, ndërsa ne jepnim konsensus, ai (Berisha) na vidhte nga ana tjetër.

Ilir Gjoni: Statuti si e ka për rastet kur nuk zbatohet vendimi i grupit?

Edi Rama: Ndërsa ju vazhdoni debatet, mua më duhet të largohem të takoj “tartabiqet”. E thash jo pa qëllim këtë, pasi nuk është normale që aleatëve t’u drejtohesh ashtu. Mos e bëj më (i drejtohet Braçes, pasi ky i fundit kishte shkruar një ditë më parë në Facebook, ku linte të kuptohej se aleatët ishin si tartabiqe).

Shega Ligori: Unë kam votuar pro vendimit të grupit dhe kam vepruar ashtu se kam qenë e bindur se ashtu ishte më e drejta për qëndrimin tonë politik. Nëse sot marrim një vendim politik, që këtej e tutje këto gjëra të mos ndodhin më, por të kemi një qëndrim të unifikuar, më duket se po marrim vendime për njerëz që nuk janë këtu. Unë nuk do të isha dakord me kulturën e presionit për të bërë përpara në politikë. Unë jam kundër kësaj. Karrierë duhet bërë në bazë të kontributeve.

Olta Xhaçka: Më vjen keq që tek ne ndodh sa herë kështu, është bërë si një simptomë për ne socialistët, pasi të djathtët shkojnë në rresht. Nuk më vjen mirë kur e mendoj, por socialistët janë kthyer në një tufë macesh. Natyrisht statuti aty ka qenë, ai s’ka ndryshuar, ndaj jam skeptike nëse ky angazhim që po marrim sot do të zbatohet.

Paulin Sterkaj: Kisha kohë që e prisja këtë debat, ndaj më vjen mirë që më së fundi u hap. Doja të thosha se ne duhet të jemi të ndershëm me veten tonë, pasi ato që debatojmë dhe vendosim në grup duhet të respektohet nga të gjithë kur shkojmë në Kuvend.

Artan Gaçi: Ajo që dua të them është se askush nuk duhet të bëjë sikur ka pronësinë e mendimit ndryshe, pasi njeriu si natyrë është qenie që mendon ndryshe dhe të gjithë që jemi këtu mendojmë ndryshe, por ajo që ka rëndësi është se shumica e këtij grupi nuk vepron ndryshe. Janë vetëm disa këtu që mendojnë ndryshe dhe veprojnë ndryshe, duke shpërfillur detyrimet statutore dhe rregullat. Shpresoj që të mos ketë një mbledhje tjetër që ta vëmë në zbatim këtë vendim. Ndaj do thosha që është e pakuptimtë të flasim në përgjithësi për gjithë grupin kur dihen kush janë 2-3 personat që e kanë bërë çështje këtë punë. Zbatimi i rregullores duhet të jetë për çdokënd.

Andis Harasani: Nëse keni ndonjë shqetësim për persona konkretë, mund ta thoni. Është më mirë të flisni me emra konkret, sesa kështu në përgjithësi.

Gaçi: Ne flasim për çështje parimore dhe jo për gjëra personale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›