Berisha, fushatë me SMS: “Më thoni çfarë doni të bëj 4 vitet e ardhshme”
Kryeministri Sali Berisha ka përzgjedhur kompaninë më të re të telefonisë celulare, për t’u dërguar të gjithë abonentëve të saj dje nga një SMS ku i kërkon të shprehin dëshirat e tyre, që thotë se do t’ua realizojë gjatë katër viteve të ardhshme nëse do të marrë një mandat të dytë qeverisës. Në fillim të mesazhit të dërguar në telefonat celularë Berisha bën një panoramë të gjerë me gjuhën e shifrave të arritjeve, sipas tij, në katër vitet e mandatit aktual si kryeministër. Duke i njohur meritën dhe qytetarëve shqiptarë në tërësi, Berisha i shkruan abonentëve se “së bashku eliminuam 204 banda, shpëtuam nga korrupsioni katër miliardë dollarë, rritëm dhe dyfishuam rroga dhe pensione”.
Më tej evidenton se “ndërtuam dhe rindërtuam 5 900 kilometra rrugë, 1 012 shkolla, mbi 700 ujësjellës e kanalizime, pesëfishuam investimet, firmosëm 5 miliardë euro investime të huaja, pritëm 2.7 milionë turistë”. Berisha nuk ka harruar në këtë mesazh të gjatë të përmendi dhe fitoren e prillit të këtij viti, “kur ne u anëtarësuam në NATO”, duke premtuar menjëherë më pas, heqjen e vizave me BE, brenda një viti. “Jemi në NATO dhe brenda një viti do të lëvizim pa viza në Bashkimin Europian”, - thekson kryeministri në SMS-në e tij, dërguar afro 380 mijë abonentëve. Kryeministri e përfundon mesazhin me lutjen: “Të lutem, më shkruaj në 067 20 00410, çfarë të intereson në katër vitet e ardhshme”.
20 Maj 2009