E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja dorëzon listën në KQZ, sot publikimi i emrave

Kryesia e selisë rozë miraton emrat e 140 kandidatëve të saj për deputetë. Lista dorëzohet në KQZ, në limitet e afatit të Kodit të ri Zgjedhor

Partia Socialiste ka depozituar dje listën zyrtare të kandidatëve të saj për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Depozitimi i listës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është bërë në limitet e afatit të përcaktuar në Kodin Zgjedhor, pikërisht në orët e fundit të ditës së djeshme. Por publikimi i listës së plotë të kandidatëve është shtyrë për ditën e sotme. Një vendim i tillë i selisë së Partisë Socialiste është bërë e ditur nga zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli. “Listat të plota do të bëhen publike nesër me një dalje tjetër mediatike nga ana jonë. Do të respektohet çdo afat ligjor”, - tha Kodheli.

Listat
Procesi i konsultimit dhe i përzgjedhjes së emrave për listën e kandidatëve të Partisë Socialiste ka nisur që në datën 9 maj. Këto konsultime janë zhvilluar nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Por dita e djeshme ka qenë më intensivja, duke qenë se përkonte me skadimin e afatit të vendosur në Kodin e ri Zgjedhor. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar takime të shumta me të gjithë emrat që janë përfshirë në këto lista. Ndërkaq, gjatë orës 20:00 të ditës së djeshme është zhvilluar mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste. Struktura e lartë e selisë rozë, pas një mbledhje, e cila ka zgjatur për dy orë me radhë, ka miratuar me radhë të gjithë emrat të përfshirë në listën e kandidatëve. Kryesia ka miratuar edhe renditjen e kandidaturave për secilin qark, megjithatë, informacioni për këtë listë ka qenë i pakët deri në orët e vona të natës, pavarësisht depozitimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Lista pritet të publikohet vetëm gjatë ditës së sotme, nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Qarku Berat
Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë listën zyrtare të kandidaturave të Partisë Socialiste për qarkun e Beratit. Mësohet se në krye të kësaj liste është deputeti dhe nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe. I dyti në këtë listë është Fidel Ylli, ndërkohë që është konfirmuar deputeti aktual Marko Bello. Por Bello është i renditur i katërti, pasi në vendin e tretë është përzgjedhur emri i Ermonela Selës. Më pas lista e PS-së për Beratin vijon me Eduart Bejkon, Selman Hodajn, Anila Agalliun dhe Valbona Zylyftarin.

Kandidaturat kryesore

Ndërkaq, janë kristalizuar gjithnjë e më shumë emrat e kandidatëve që do të udhëheqin listën e Partisë Socialiste në të 12-të qarqet. Në qarkun e Tiranës pritet të jetë ndër vendet e para Rexhep Meidani, Kastriot Islami dhe Andis Harasani. Në qarkun e Fierit lista pritet të kryesohet nga Gramoz Ruçi, në qarkun e Elbasanit nga Valentina Leskaj, në qarkun e Durrësit nga Blendi Klosi, në qarkun e Vlorës nga Luiza Xhuvani, në qarkun e Kukësit nga Asllan Dogjani, në qarkun e Beratit nga Fidel Ylli, në qarkun e Korçës nga Ben Blushi, në qarkun e Lezhës nga Lindita Nikolli, në qarkun e Shkodrës nga Ilir Beqja dhe në qarkun e Gjirokastrës nga Arta Dade.

Kandidaturat e mundshme të Partisë Socialiste

Rexhep Meidani, Mimi Kodheli, Namik Dokle, Andis Harasani, Fatmir Xhafaj, Ledi Shamku, Vasilika Hysi, Kastriot Islami, Eduard Shalsi, Ditmir Bushati, Ilir Gjoni, Saemira Pino, Dashamir Peza, Besnik Bare, Blendi Klosi, Rudina Seseri, Artan Lame, Gazmir Bizhga, Ilir Shani, Gramoz Ruçi, Ermelinda Meksi, Pirro Lutaj, Albert Çaçi, Endri Puka, Rajmonda Stefa, Armando Subashi, Arjon Muça, Dritan Agolli, Luiza Xhuvani, Arben Malaj, Shpëtim Idrizi, Arben Isaraj, Besnik Dervishi, Eltar Deda, Stefan Çipa, Auron Tare, Fidel Ylli, Erion Braçe, Arta Dyrmishi, Marko Bello, Ben Blushi, Alfred Dalipi, Olta Xhaçka, Pandeli Majko, Arben Ahmetaj, Sadri Abazi, Elisa Spiropali, Qemal Minxhozi, Ylli Manjani, Arta Dade, Edlira Shapllo, Lindita Nikolla, Gjovalin Kadeli, Ilir Beqja, Mimoza Hafizi, Tom Doshi, Naim Kopliku, Edip Shiroka, Valentina Leskaj, Damian Gjiknuri, Taulant Balla, Ndriçim Hysa, Asllan Dogjani.

20 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›