E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembet shtëpia e vjetër, plagoset 50- vjeçari

Jani Leno ndodhej në katin e tretë të banesës që papritur është rrëzuar. Dërgohet me helikopter në kryeqytet

KORÇË- Shembja e një shtëpie të vjetër për pak sa nuk i ka marrë jetën një prej banorëve të saj në qytetin e Korçës. Vetëm rastësia ka shpëtuar banorët e tjerë nga ndonjë dëmtim i mundshëm. Burri 50 vjeç ka qenë duke ecur nëpër ambientet e brendshme të shtëpisë së tij private ku jeton prej shumë vitesh bashkë me familjen e vet. Ngjarja e cila ka ndodhur gjatë paradites së djeshme, ka traumatizuar dhe banorët e lagjes 15, një pjesë e të cilëve kanë asistuar “live” në rrëzimin e një pjese të shtëpisë që për pak i ka marrë jetë babait të tre fëmijëve. Sipas burimeve të policisë, ngjarja ka ndodhur në një shtëpi private trekatëshe në lagjen 15 të qytetit. Jani Leno gjendej në katin e tretë të shtëpisë ku jeton, ndërsa për pak sekonda e ka parë veten në oborrin e kësaj shtëpie në katin e parë. Një pjesë e murit të godinës është shembur i gjithi duke e marrë me vete dhe Lenon, i cili është dëmtuar duke thyer njërën këmbë, por duke pësuar dhe fraktura të tjera mjaft serioze. Menjëherë 50- vjeçarit i është dhënë ndihma e parë nga të afërm të tij. Pas shtrimit në spitalin rajonal të Kocës, mjekët e tij kanë vendosur që ai të kurohej në një spital më të specializuar. Meqenëse i plagosuri në mënyrë aksidentale ndodhet në gjendje të rëndë, ai është transportuar me helikopter drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës. Ndërkaq policia e juglindjes ka nisur dhe hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, ndërsa nga të dhënat e para rezulton se plagosja e rëndë e 50 vjeçarit. Në këtë godinë të vjetër jetojnë më shumë se pesë vetë, ndaj pritet të gjendet një zgjidhje që ata të mos rrezikohen në të njëjtën formë si i afërmi i tyre, përderisa shtëpia trekatëshe ka nisur të shembet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›