E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha garanton britanikët për zgjedhje të lira

Kryeministri Sali Berisha garanton ambasadoren e re të Britanisë së Madhe në Tiranë se zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë të lira dhe të ndershme. Me interesimin e Ambasadores Fiona Mcllwham, Kryeministri foli për procesin e zgjedhjeve dhe theksoi vullnetin dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për garantimin me 28 qershor, të zgjedhjeve të lira dhe të drejta. Shefi i qeverisë shqiptare priti dje në takim ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar, të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, në Tiranë, Fiona Mcllwham, me rastin e fillimit të misionit të saj në vendin tonë. Pasi i shprehu urimet më të mira dhe suksese në misionin e saj shumë të rëndësishëm, Kryeministri Berisha e sigurojë ambasadoren se në misionin e saj do të ketë gjithnjë përkrahjen e tij dhe të qeverisë që drejton. Kryeministri shprehu kënaqësinë për nivelin e marrëdhënieve në mes dy vendeve, si dhe mirënjohjen për përkrahjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Ambasadorja e siguroi Kryeministrin Berisha se gjatë misionit të saj në Shqipëri, do të punonte për zgjerimin e forcimin e marrëdhënieve. "Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, është një arritje e rëndësishme për vendin tuaj, por dhe një garanci më e madhe për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin në mes dy vendeve tona", tha Ambasadorja Mcllwham. Kryediplomatja britanike në Tiranë erdhi në muajin maj në Shqipëri për të drejtuar Ambasadën e Britanisë së Madhe dhe të Irlandës së Veriut.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›