E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha premton asfaltim të rrugës në Çermenikë

Partia Demokratike vazhdon turin elektoral "Shqipëria po ndryshon". Kreu i demokratëve, Sali Berisha, ka organizuar dje mitingjet e radhës në qytetin e Librazhdit dhe Peqinit. Me të njëjtën përmbajtje, të njëjtin program, skenë, dekor dhe regji, demokratët, me fjalimet e Berishës janë paraqitur në këto dy qytete të vogla të Prefekturës së Elbasanit, duke kërkuar votën djathtas. Qindra vetë kanë pritur kreun e PD-së dhe të qeverisë që tek ura e Mirakës me makina e flamuj duke krijuar kështu një vargan të gjatë automjetesh prej afro një kilometër. "Kam ardhur në qytetin tuaj të kërkoj votën jo për ato që ka bërë qeveria ime, por për ato që do të bëjë për këtë qytet të Juglindjes së Shqipërisë", ka nisur fjalën e tij Berisha. Sipas tij, nuk është se qeveria nuk ka dërguar fonde për bashkinë socialiste të Librazhdit, por nga ky institucion nuk ka pasur aftësinë dhe përgjegjësinë e përgatitjes së projekteve zhvilluese. "Së bashku do t‘i jap këtij qyteti buzë Shkumbinit dhe fshatrave të tij pamje tjetër, investime të tjera dhe standarde jetese më të larta në qytet e fshat", pohoi Berisha. Sipas tij, tashmë kishte nisur zbatimi i asfaltimit të rrugës Librazhd - Peshkopi dhe në vitin e parë të mandatit të dytë, do të niste asfaltimi i rrugës drejt zonës së largët të Çermenikës, rreth 40 kilometra e gjatë. Edhe në këtë takim, Berisha nuk e ka ulur tempin e anetemimit të kreut të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Kryeministri u angazhua për krijimin e hapësirave ligjore që kreu i Partisë Socialiste të kandidojë për deputet dhe jo të mbetet mes dy karrigesh. "Zullumet e Ramës nuk i lan dot as lumi i Shkumbinit dhe abuzimet e tij kapin rreth 70 për qind të lejeve të ndërtimit", deklaroi Berisha në Librazhd. Ndërkohë, një takim i tillë rreth orës 20.00 është organizuar mbrëmë në qytetin e Peqinit. Në të dy qytetet, Berisha ka deklaruar me optimizëm se do të votohen masivisht kandidatët për deputetë të PD-së. Nga Peqini dhe Librazhdi, kreu i ekzekutivit ka bërë një bilanc të qeverisë së tij katërvjeçare duke kujtuar në këtë rast rritjen e rrogave dhe pensioneve, investimet në infrastrukturë dhe punësimet që janë bërë në administratë gjatë katër viteve të qeverisë së tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›