TIA: Fushata, 8 kritika për partitë
"Transparency International Albania" ka publikuar dje tetë kritika ndaj partive politike për mënyrën sesi po shkojnë drejt zgjedhjeve të 28 qershorit. Transparenca e financave, mënyra e hartimit të listave, programi elektoral dhe kandidatët që garojnë në këto zgjedhje janë pikat më problematike të partive politike. TIA kërkon nga partitë që të publikojnë faturën e çdo mitingu dhe aktiviteti tjetër elektoral, të mos fshehë financimet private dhe të publikojë listën e bizneseve që kanë përfituar nga privatizimet dhe tenderat. "Transparency International" ka ndjekur nga afër situatën e fundit zgjedhore në Shqipëri dhe vëren se niveli i transparencës së subjekteve zgjedhore përballë elektoratit është tepër i ulët. TIA u drejtohet partive politike me disa kërkesa konkrete për rritjen e transparencës financiare, por edhe të transparencës me listat e kandidatëve apo me programet elektorale. TIA vëren se publiku është njohur në mënyrë krejt sipërfaqësore me programet elektorale, ku jo rrallë është vënë në dyshim dhe ekzistenca e tyre. TI Albania ka konstatuar se hartimi i listave të kandidatëve pa konsultime me publikun, pa pjesëmarrjen e strukturave vendimmarrëse të partive, pa debat brenda partive apo me elektoratin; si dhe dorëzimi i tyre në prag, apo përtej afateve ligjore ka demonstruar hapur dobësinë e këtij sistemi të ri zgjedhor, si dhe dobësimin e demokracisë pjesëmarrëse brenda partive më të mëdha në vend. TIA u kërkon partive politike që, në kuadër të transparencës përballë publikut, të publikojnë CV e kandidatëve me të cilët garojnë në këto zgjedhje. Vlerësohet se transparenca me të kaluarën e kandidatëve, përveçse ju jep mundësi qytetarëve të zgjedhin në Kuvendin e ardhshëm përfaqësues me kontribute sociale dhe akademike, krijon edhe mundësinë e verifikimit nëse ka në lista kandidatë që garojnë në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën e vendit. Gjithashtu, vërehet se është shqetësues niveli i ulët i transparencës financiare të kësaj fushate zgjedhore dhe për të rritur nivelin e transparencës ajo kërkon prej partive politike publikimin e faturës financiare të çdo aktiviteti elektoral (mitingje dhe aktivitete të tjera masive), menjëherë pas përfundimit të tij. Në respektim të Kodit Zgjedhor, drejtuesit e TIA-s kërkojnë nga partitë të publikojnë regjistrin e posaçëm ku do të regjistrohen personat që dhurojnë më shumë se 100 mijë lekë, si dhe të bëjnë publik numrin e llogarisë bankare ku do të depozitohen këto financime. I kërkohet gjithashtu qeverisë publikimi i listës së personave juridikë që kanë përfituar fonde publike, ose kanë qenë partnerë me fonde publike gjatë 4 viteve të shkuara, në mënyrë që të verifikohet nëse këto subjekte po kontribuojnë në fushatën zgjedhore në shkelje të ligjit. TIA vlerëson se rritja e transparencës gjatë fushatës zgjedhore rrit mundësinë për të pasur një Parlament më cilësor, të përbërë nga deputetë që për mandatin e tyre u detyrohen vetëm qytetarëve që i kanë zgjedhur.