E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e PS miraton kriteret e kandidatëve për deputetë

Kryesocialisti cakton krerët e fushatës për dymbëdhjetë qarqe
Partia Socialiste hyn në një nga fazat e saj më delikate, përzgjedhja e emrave të kandidatëve për deputetë. Më në fund, Asambleja e PS, vendosi mbi pikën më të nxehtë politike, zgjedhjen e kandidatëve, e cila është debatuar aq shumë në media dhe ndër qytetarë. Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste miratoi dje kriteret për përzgjedhjen e kandidateve, një projektvendim për aleancat me forcat e tjera politike për zgjedhjet e përgjithshme, si dhe mandatoi Kryetarin e partisë, Edi Rama, për nënshkrimin e marrëveshjeve zgjedhore me subjektet politike. sipas procedurave dhe kritereve të miratuara nga Asambleja e PS për përzgjedhjen e kandidatëve për deputet, këta të fundit do të propozohen nga anëtarësia e partisë në çdo qark, duke përfshirë delegatët e Kongresit si dhe anëtarët e dy forumeve drejtuese në qarqe, Asamblesë dhe Kryesisë. Po kështu do të merret edhe mendimi i shoqërisë civile, i formatuar në bordet këshillimore të qytetareve. Në fund, emrat i propozohen kryetarit të partisë, i cili firmos. Anëtaret e asamblesë u shprehen se "konsultimet për zgjedhjen e kandidatit të çdo zone, aktualisht do të drejtohen nga i deleguari i kryesisë qendrore dhe në fund kryetari ngarkohet të finalizojë përzgjedhjen me drejtuesit e strukturave të PS. Gjatë asamblesë së djeshme, u caktuan edhe të deleguarit e Kryesisë në 12 qarqe të vendit që do të drejtojnë procedurat e përzgjedhjes së kandidateve dhe njëkohësisht dhe do të mbikëqyrin përgatitjen e strukturave bazë për zgjedhjet. Ndërsa për kriteret që duhet të përmbushin kandidatët për deputete, në Asamble u tha se ata duhet të kenë mbaruar arsimin e lartë, të jenë me integritet moral e politik, dhe të gëzojnë besueshmëri në zonë. Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, forumi më i lartë në harkun kohor mes dy kongreseve, miratoi disa vendime të rëndësishme për ecurinë e fushatës elektorale. Pikë e diskutimeve të djeshme ishte edhe marrëveshja e forcës më të madhe politike opozitare me partitë e vogla të këtij spektri. Marrëveshje këto që pritet të nënshkruhen të hënën. Bashkëqeverisje, programe të njëjta, qëndrime politike të njëjta, luftë kundër fenomeneve negative etj., janë disa prej kritereve ku do të bazohet koalicioni. Ndërsa për sloganin u vendos të jetë "Politika e re për ndryshim". Kryesocialisti Edi Rama ka kërkuar solidaritet në këto momente, gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare. "Dua të theksoj edhe domosdoshmërinë e një solidariteti të jashtëzakonshëm në këtë fazë të fundit të përpjekjes sonë, një solidariteti që duhet të karakterizojë të gjithë përpjekjen tonë të përbashkët, të një solidariteti që duhet të jetë mishërimi i vetëdijes sonë, se jemi këtu për të përfaqësuar njerëzit", u shpreh Rama në mbledhjen e Asamblesë së PS. Rama shtoi se në më pak se dy muaj PS, do të përcjellë në çdo cep të vendit mesazhin e shpresës dhe se synon gjithashtu që ky mesazh me 28 qershor të përkthehet në votë për forcën politike që ai drejton. Më tej, Rama nuk ka lënë pa përmendur edhe çështjen e kartave të identitetit, e cila sipas tij do të zërë një vend të rendësishëm në programin e PS për zgjedhjet. Kur mbeten më pak se 2 muaj nga dita e votimit, janë më shumë se dhjetëra e mijëra shqiptarë dhe shqiptare, që ende nuk e kanë të garantuar të drejtën për votim. Kur mbeten më pak se dy muaj nga dita e votimit, janë ende me dhjetëra e dhjetëra komunat e vendit, ku nuk është hapur ende zyra e aplikimit dhe janë qindra fshatrat e vendit, nga ku qytetarët kanë vështirësi dhe kosto shumë të lartë për të patur akses në zyrat e aplikimit. Kjo vështirësi, e cila është një vështirësi e akumuluar për shkak se Sali Berisha dhe qeveria e tij hynë në procesin e jetësimit të reformës zgjedhore dhe të kodit të ri elektoral pa asnjë plan, përbën nga ana tjetër një objektiv të patjetërsueshëm për të gjithë ne, që të bëjmë çfarë është e mundur, që të garantojmë të drejtën e votimit për çdo qytetar, vijoi kreu socialist Rama, sipas të cilit në programin e PS janë një sërë detyrash që duhen kryer nga organizimi i kësaj partie  në të gjithë territorin, për të mundësuar që ky proces të mos dështojë. Së fundmi Rama ka apeluar sërish që qytetarët pa pasaportë të  aplikojnë për karta identiteti, duke premtuar se qeveria e tij e ardhshme do ta rimbursojë pas fitores së zgjedhjeve të 28 qershorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›