E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha përdor për dekor fëmijët e shkollës në Shijak

Dega e PS-së së Durrësit ka shprehur shqetësimin dhe indinjatën për sjelljen antiqytetare të kryeministrit Sali Berisha. Është e disata herë që shkollat e qytetit të Durrësit boshatisen dhe nxënësit detyrohen të lënë mësimin për tu bërë sfondi i fushatës elektorale të Sali Berishës. Sipas zëdhënëses së PS, Voltisa Xhokaxhi, kryeministri e pati të pamundur realizimin e mitingut të radhës në Shijak dhe për këtë arsye si zgjidhje për të mbushur sheshin zgjodhi mënyrën e vjetër, të nxjerrë në shesh me forcë nxënësit e shkollave dhe stafin e mësuesve nëpërmjet kërcënimeve të formave të ndryshme. Ky Kryeministër, në vend që të garantojë kushtet e mësimdhënies të denja për një vend i cili pretendon të integrohet në Europë, po na tregon mosrespektin ndaj dijes dhe qytetarisë. Me anë të kësaj konference për shtyp shprehim keqardhjen tonë për mësuesit që u detyruan të lënë punën dhe nxënësit që po humbasin shumë ditë mësimi. Gjithashtu i bëjmë thirrje Kryeministrit që të mos nxjerri në shesh njerëzit por ti ftojë ata të aplikojnë për kartat e identitetit, ka vijuar më tej Xhokaxhi, duke shtuar se vendimi i qeverisë për blerjen e kuponit 200 lekë të reja nga ata persona që nuk janë të pajisur me pasaportë, nuk po zbatohet thuajse në të gjithë qarkun e Durrësit. Qytetarët po detyrohen të pajisen me formularë nga Drejtoria e Policisë ku vërtetohet se nuk kanë pasaporta, në kundërshtim të plotë me vendimin i cili thotë se qytetarët duhet të vetëdeklarojnë mos pasjen e pasaportës në sportelet e postës shqiptare. Këto janë tentativat e Kryeministrit për të sabotuar pajisjen e qytetarëve me karta identiteti dhe procesin zgjedhor, u shpreh më tej Xhokaxhi, duke i bërë thirrje Kryeministrit të heqë dorë nga këto tentativa të dështuara pasi tashmë qytetarët e kanë marrë vendimin e tyre, largimin e Sali Berishës nga pushteti. Në të vërtetë, Berisha me përurimet e tij qesharake ka sikletosur një numër të madh fëmijësh që mësojnë në shkollën 9- vjeçare "Muharrem Dollaku" në Shijak. Kjo shkollë ka përfunduar rikonstruksionin në tetor 2008 dhe për ta përuruar këtë rikonstruksion, në kuadër të turit përurues të çdo gjëje, ka shkuar atje vetë kryeministri. Në fakt Berisha është nisur në nëntor të vitit të kaluar për të bërë përurimin por më pas e anuloi për të shkuar një ditë tjetër, por përsëri e anuloi derisa arriti të shkonte në maj. Të gjitha këto ditë fëmijët kanë qenë në dispozicion të Berishës duke i hequr nga shkolla për ti bërë dekor të kryeministrit. Për të pritur "udhëheqësin" ka qenë i angazhuar vetë drejtori i drejtorisë arsimore të Durrësit, Vaso Papaji dhe e gjithë drejtoria e tij. Vetë Papaji ka qenë në Shijak për të përgatitur ceremoninë e pritjes së kryeministrit dhe u ka thënë drejtuesve të shkollës të marrin masa. Gjithë kjo histori është një tallje e vërtetë dhe një torturë që i bëhet disa fëmijëve shkolle por edhe mësuesve të tyre të cilët vihen totalisht në varësi të trilleve të një kryeministri që tashmë sillet si udhëheqësit e dikurshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›