E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, hero i A-League

Trajneri i Brisbane Roar, Ange Postecoglou mendon se Besart Berisha ishte futbollisti më i mirë i A-League këtë sezon. Kontributi që dha sulmuesi kosovar për ekipin australian, ku realizoi 19 gola, e bëri atë njërin prej lojtarëve më të rëndësishëm të ligës. As vetë 26 vjeçari nuk e kishte imagjinuar një rrjedhë të tillë të sezonit. Ai beson ende në titull të kampionit, i cili do të vendoset në fundjavë.

Brisbane Roar e ka në ekip lojtarin më të mirë në A-League. Ai është Besart Berisha, të cilin trajneri i tij, Ange Postecoglou e konsideron si më të mirin në kampionatin australian të futbollit.

19 golat e shënuar këtë sezon e kanë bërë sulmuesin kosovar njërin prej futbollistëve më të rëndësishëm të Roar, por edhe të ligës. Së fundmi, Berisha shënoi ndaj Newcastle, duke iu afruar në vetëm një gol rekordit të Shane Smeltz të Coast United, të cilin e mban nga sezoni 2009-10.

“Çdokush që ka ardhur në këtë ligë dhe që ka shënuar gola si ai, ka marrë lëvdata. Kontributi i tij, jo vetëm për ne, por edhe për tërë ligën ka qenë i jashtëzakonshëm. Nëse shikoni golat dhe impaktin në ligë, ai ka qenë lojtari më i mirë i ligës këtë sezon”, theksoi trajneri Postecoglou.

As vetë Berisha nuk e kishte imagjinuar se do ta shijonte një sezon aq të suksesshëm. “Është e jashtëzakonshme, është ende e pabesueshme”, ka thënë 26 vjeçari. – “Kur kam ardhur këtu, kam menduar se ndoshta do t’i shënoja 7-8 gola, me të cilët do të isha i lumtur. Çdo gol që kam shënuar më shumë, është vetëm një bonus për mua”, shtoi ish futbollisti i Hamburgut dhe Rosenborgut.

Prioritet i Berishës është që ta fitojë titullin e kampionit, ndërsa titulli i golashënuesit më të mirë do të ishte një çmim i mirë për të. Aktualisht, Roar gjendet në pozitën e dytë, me 2 pikë më pak se kryesuesi Central Coast Mariners, vetëm një xhiro pa përfunduar sezoni.

Të dyja ekipet do të luajnë të dielën që vjen, me Roar që do të ballafaqohen me Gold Coast United në Skilled Park, derisa Mariners do të kenë punë të vështirë, ndaj Phoenixit në Wellington. Për ta mbrojtur titullin e kampionit, Roar, të cilët kanë goldallim më të mirë, duhet të fitojnë dhe të shpresojnë në një barazim eventual të Mariners.

Të mërkurën, Roar do të luajë në Ligën e Kampionëve të Azisë ndaj ekipit kinez, Beijing Guoan. Berisha, i cili kishte shënuar gol për Hamburgun në Ligën e Kampionëve të Evropës, thotë se Brisbane duhet të përmirësohet, pas humbjes 2:0 nga FC Tokyo, dy javë më parë në Suncorp Stadium. “Ne dëshirojmë t’i tregojmë Azisë se ishte një gabim. Është më mirë të humbësh në fillim, sesa në fund”, përfundoi Berisha.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›