E Shtunë, 31 Tetor 2026

Padisin FIFA’n e UEFA’n ?

Nëse edhe në këtë javë UEFA nuk e rekomandon FIFA-n që ta lejojë përfaqësuesen e Kosovës dhe klubet e saj të zhvillojnë ndeshje miqësore, atëherë këtyre dy organizatave mund t’u dalë punë nëpër gjykata. Krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës po mendojnë shumë seriozisht që këtë çështje ta procedojnë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, pasi kanë fituar bindjen se shtëpia e futbollit evropian dhe atij botëror e kanë tepruar duke i diskriminuar.

Të martën dhe të mërkurën, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do ta mbajë mbledhjen e saj të radhës. Është paraparë që në këtë mbledhje ky organ ta nxjerrë një rekomandim për FIFA-n që ta lejojë apo jo përfaqësuesen e Kosovës dhe klubet e saj të zhvillojnë ndeshje miqësore ndërkombëtare.

Në fakt, një rekomandim të tillë UEFA ishte paraparë t’ia jepte FIFA-s para disa muajve, por nuk e pati bërë një gjë të tillë me arsyetimin se kishte kërkuar një mendim këshillëdhënës nga Zyra Ligjore e saj.

Por, kjo nuk ishte hera e parë që UEFA nuk iu kishte përgjigj FIFA-s rreth kësaj çështjeje, të cilën evropianët po e zvarritin që disa herë. Andaj, përvoja nga e kaluara ka bërë që krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) të mos i kushtojnë rëndësi aq të madhe as mbledhjes së radhës të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.

Pra, udhëheqësit e futbollit kosovar nuk janë aq optimistë nëse evropianët kësaj radhe do t’i japin një rekomandim shtëpisë së futbollit botëror rreth kërkesës së kosovarëve, e cila herë po dërgohet në FIFA e herë në UEFA, por pa dhënë rezultat.

Kështu koha po ecën, derisa prej ditës në ditë krerëve të FFK-së po u humb durimi. Kosovarët tashmë e kanë fituar bindjen se po diskriminohen nga FIFA e UEFA për faktin se këto dy organizata nuk po i lejojnë të luajnë futboll, ani pse Kosova konsiderohet si ‘zemra e Evropës’.

Andaj, krerët e FFK-së thonë se nëse edhe kësaj radhe UEFA nuk ia jep një rekomandim FIFA-s, atëherë do ta shqyrtojnë shumë seriozisht mundësinë që çështjen ta dërgojnë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).

“E kemi një para-ide, nëse mund ta quaj kështu, që nëse nuk na jepet e drejta për të luajtur futboll, atëherë sipas të gjitha gjasave, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së do të detyrohet t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore, gjykatat sportive, që ta fitojmë të drejtën tonë njerëzore. Pra, nëse edhe kësaj here UEFA nuk na përgjigjet, ne do ta marrim shumë seriozisht këtë ide, për të cilën kemi diskutuar disa herë më parë”, ka deklaruar për Express sekretari gjeneral i FFK-së, Eroll Salihu.

“Kjo pasi nuk kemi çka të humbim. Nuk mund të pritet anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për të na lejuar të zhvillojmë ndeshje miqësore. Kur pranohemi në OKB ne s’kemi pse të diskutojmë me FIFA-n e UEFA-n sepse atëherë automatikisht bëhemi anëtarë të tyre”, shtoi ai.

Madje, një fjali tjetër e Salihut tingëllon si ultimatum për udhëheqësit e futbollit evropian dhe atij botëror, para se FFK ta nisë procedurën e dërgimit të çështjes në gjykatë.

“Është koha e fundit që FIFA e UEFA ta gjejnë një zgjidhje për ne. Nuk mund të na mohet e drejta për të luajtur futboll, sidomos tani kur jemi shtet”, tha Salihu.

Mundësia e dërgimit të kësaj çështjeje në gjykatë nga ana e krerëve të FFK-së qe përmend edhe në të kaluarën, por jo kaq seriozisht sikurse tani.

Duhet theksuar se ndeshjen e fundit miqësore përfaqësuesja e Kosovës ndaj reprezentacionit të një shteti tjetër e pat zhvilluar në verën e vitit 2007 në Turqi ndaj Arabisë Saudite, të cilin takim kosovarët e patën fituar me rezultat minimal 1:0.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›