Berisha i "dhuron" 100 mijë lekë Apostolit
Kryeministri Sali Berisha "shpërblen" aleatët parazgjedhorë. Këshilli i Ministrave ka miratuar dje një fond për ndihmë financiare ndaj Partisë Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet. Pak ditë përpara zgjedhjeve, PD dhe ADS kanë nënshkruar marrëveshjen paraelektorale, ndërkohë që në vend të një mandati, deputeti ADS merr si shpërblim vetëm 100 mijë lekë të reja nga Kryeministri Berisha. Fondi i miratuar do të përballohet nga buxheti i shtetit për vitin 2009 dhe Kryeministri Berisha ka ngarkuar me detyrë ministrin e Financave, Ridvan Bode, të kujdeset për zbatimin e këtij vendimi. Pas këtij vendimi priten që edhe partitë e tjera në koalicion me PD-në, por që nuk arritën të futen në Kuvend do të fitojnë bonuset për marrëveshjen paraelektorale me Berishën. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 18, të ligjit nr. 8580, datë 17.2.2000, "Për partitë politike", të ndryshuar dhe të nenit 12, të ligjit nr.10 025, datë 27.11.2008, "Për buxhetin e vitit 2009", me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi t‘i japë Partisë "Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet", një fond prej 100000 lekësh, si ndihmë financiare. Ky fond do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për vitin 2009 dhe do të ngarkohet ministri i Financave për zbatimin e këtij vendimi.