Withers: Rinumërimi? Duhet të sundojë ligji
Ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, ka komentuar dje vendimin e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos pranuar rinumërimin e votave të Tiranës dhe Beratit, pasi e kishte bërë më parë këtë me tetë kuti në Qarkun e Fierit. I pyetur rreth kësaj situate, diplomati amerikan tha se është me rëndësi jetike që çdo fazë e procesit zgjedhor të jetë në përputhje absolute me Kodin Zgjedhor, përfshi këtu edhe çështjen e rinumërimit të votave. Ambasadori amerikan tha: "Ashtu siç e kam theksuar më parë, është e domosdoshme që të gjitha aspektet e procesit të jenë transparente, që procesi të vazhdojë në mënyrë profesionale, të mos jetë i politizuar dhe që të jetë gjithmonë nën sundimin e ligjit". Reagimi i ambasadorit amerikan për rinumërimin e votave, si pjesë e procesit final, vjen një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi të zbatojë një klauzolë të ligjit për rinumërim votash në Qarkun e Tiranës, pas kërkesës së dy anëtarëve të KQZ-së. Ky vendim u konsiderua i paligjshëm nga Partia Socialiste. Vetëm pak ditë më parë ishte kreu i diplomacisë amerikane në Tiranë që mbërriti në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Teksa po merrej në shqyrtim ankimimi i Partisë Socialiste, Withers bisedoi me kreun e KQZ-së, Arben Ristani, për situatën. Pas diplomatit amerikan, kreun e institucionit të menaxhimit të zgjedhjeve e takoi edhe kryesuesja e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri, Audrey Glover. Pak ditë më parë Withers dha një intervistë të gjatë për "Zërin e Amerikës", ku kërkonte që palët të administronin me kujdes pjesën e mbetur të procesit zgjedhor, teksa ju bëri thirrje të gjithë faktorëve të ndikojnë që edhe kjo fazë të mbyllet me sukses dhe në përputhje me standardet. Sipas asaj çka tha Withers, rezultati i këtyre zgjedhjeve ishte i ndërlikuar dhe pothuajse i ndarë 50 me 50%. Në këtë linjë, ambasadori vlerësoi se qeverisja e ardhshme duhet të jetë një qeveri për të gjithë shqiptarët, pavarësisht ngjyrave politike.