Meta: Rama duhet të pranojë rezultatin e zgjedhjeve
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi dje se Partia Socialiste duhet të pranojë realitetin e humbjes së zgjedhjeve dhe të lërë deklaratat absurde për mosnjohjen e tyre. "Janë absurde pretendimet që ngrihen në vazhdimësi për mosnjohje të zgjedhjeve apo për përsëritje të tyre. Kjo është një fyerje e madhe për shqiptarët", u shpreh Meta. Kreu i LSI-së, theksoi faktin se KQZ-ja duhet të shpallë sa më shpejt rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, sepse këto vonesa thekson ai nuk e ndihmojnë imazhin e Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s. Sipas tij, politikanët e të gjithë krahëve duhet të kuptojnë se këto zgjedhje nuk duhet të shtojnë pikëpyetje mbi perspektivën e vendit tonë si një vend që ka aplikuar për statusin e vendit kandidat për në BE. Politikanët e të gjithë krahëve, tha Meta gjatë konferencës për shtyp, duhet të kuptojnë se për hir të axhendave të tyre të ngushta politike personale nuk mund të luajnë me stabilitetin, integrimin dhe të ardhmen e Shqipërisë. Duke mos pranuar qëndrimin e PS-së për mosnjohje të zgjedhjeve dhe pakënaqësitë e tyre në lidhje me Kodin Zgjedhor, Meta deklaroi se "ata që kanë qenë hartues, miratues dhe kontrollues të Kodit dhe të administrimit të zgjedhjeve, me pretendime të tilla, nuk mund të lajnë duart nga përgjegjësitë e tyre të drejtpërdrejta për dështimin në garantimin e standardeve në zgjedhje". Ndaj, kreu i LSI-së, Meta, i bëri thirrje kryetarit të PS-së, Edi Rama, që të ngrihet mbi interesa partiake dhe personale, të lexojë me qetësi rezultatin përfundimtar dhe të nxjerrë përgjegjësitë politike përpara shqiptarëve. Kreu i LSI-së mohoi të ketë takuar në Pogradec Kryeministrin Berisha për të diskutuar rreth marrëveshjes së bashkëqeverisjes. Sipas Metës, "nuk ka asnjë negociatë për asnjë post, pasi më e fundit çështje që do të diskutohet, janë pikërisht postet dhe çështja e përfaqësimit në këtë koalicion të ri. Ajo që është kryefjala e këtij koalicioni kryesfida e këtij koalicioni, pa dyshim që është integrimi i Shqipërisë në Europë". Ai nënvizoi se nuk është e rëndësishme çështja e posteve ministrore, por e rëndësishme është stabiliteti i qeverisë. "Është një mënyrë funksionimi e qeverisjes në funksion të reformave dhe integrimit, sepse kjo u duhet të gjithë shqiptarëve. Njëkohësisht që pa asnjë diskutim është edhe ecuria e reformave dhe përmirësimi i gjendjes së gjithë shtetarëve shqiptarë. Për ne më i rëndësishëm se çdo gjë është partneriteti midis Parisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, për të përmbushur ato standarde që kërkon BE-ja, por mbi të gjitha që kërkojnë dhe qytetarët shqiptarë", konstatoi kreu i LSI-së, Meta. Konkretisht, LSI-ja ka pranuar të jetë pjesë e bashkëqeverisjes me demokratët dhe tani pritet vetëm nisja zyrtare e negociatave për t‘i dhënë formën konkrete këtij kabineti të ri qeverisës. Aktualisht nga LSI-ja, por edhe nga PD-ja nuk janë hedhur hapa konkretë publikë për takime mes dy krerëve të partive politike. Për të nisur këtë hap konkret pritet vendimi përfundimtar i KQZ-së dhe sipas burimeve nga të dy kampet politike mësohet se do jetë muaji gusht ai që do zbulojë enigmën e madhe se cilët do të jenë emrat që do të qeverisin vendin të katër vitet e ardhshme.