Berisha merr urime nga Pacolli dhe Leka I
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, vazhdon të marrë mesazhet e urimit për zgjedhjet e 28 qershorit. Kryetari i Partisë Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli, dhe Leka I kanë uruar Sali Berishën për fitoren e zgjedhjeve parlamentare. Në telegramin që zoti Pacolli i ka dërguar Kryeministrit Berisha, citohet se "besoj fuqishëm që nën udhëheqjen tuaj Shqipëria do të ketë garantin kushtetues për funksionimin më të mirë të shtetit, për integrimet shqiptare dhe euro-atlantike". Mesazhet e urimit kanë ardhur edhe nga Leka I, i cili në letrën e tij shprehet se "fitorja juaj në zgjedhje ishte një gëzim i madh për ne. Jemi të bindur se qeveria që ju drejtoni do të vazhdojë në rrugën e reformave, të cilat kanë sjellë një ndryshim të dukshëm në Shqipëri". Leka përshëndet edhe bashkëpunimin PD-LSI për ndërtimin e qeverisë së re. "Atdheut tonë i duhet kontributi i të gjithëve, për këtë arsye ne ju përshëndesim për veprimin fisnik që keni ndërmarrë, duke bërë koalicion me LSI-në, të drejtuar nga Ilir Meta", citohet në letrën që Leka I i ka dërguar Kryeministrit Sali Berisha.