Shkodra, KQZ-ja rrëzon PS-në dhe mbështet PD-në
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi dje kërkesën e dy anëtarëve të këtij institucioni, të cilët kërkuan rinumërim të votave në Qarkun e Shkodrës. Dy anëtarët, Laze dhe Subashi, kërkuan rinumërim sipas së drejtës që u jep Kodi Zgjedhor. Kërkesa u rrëzua nga shumica, duke vlerësuar se rinumërimi i plotë nuk është objekt i detyrës së KQZ-së. Ky institucion mori në shqyrtim kërkesën e tretë ankimore, atë të Partisë Demokratike, duke pranuar këqyrjen e dy kutive të votimit në KZAZ nr.41, ndërsa më parë nuk ishin numëruar për shkak se ishin shpallur të pavlefshme. Pas këqyrjes së kutive, ato u vlerësuan të vlefshme dhe u hapën për t‘u numëruar nga administrata. Në të dyja këto kuti, PD ishte në avantazh, por e pamundur që të kthehej në një mandat për të, ndaj rezultati vijon të mbetet 7 për PD dhe 4 për PS. Mbledhja e paradites kaloi mes mjaft debatesh dhe situata tensioni mes përfaqësuesve politikë të subjekteve të ndryshme, por edhe mes anëtarëve të KQZ-së. PS pretendoi për rinumërimin dhe rivlerësimin e votave për shkak të parregullsive në Qarkun e Shkodrës. Dy anëtarë të KQZ-së kërkuan rinumërim dhe vlerësim të votave, duke u bazuar te neni 138/3, i cili thotë se në rast se kërkesa për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të caktuara bëhet nga dy anëtarë të KQZ-së, ajo është e detyruar të bëjë rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të kërkuara. Kërkesa u kundërshtua nga kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, i cili vuri në dukje se rinumërimi bëhet kur kërkesa nga dy anëtarët është për vota të caktuara, ndërsa kërkesa ankimore e PS-së kërkon rinumërim për gjithë qarkun. "Dispozita thotë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i detyruar dhe nuk lë të hapur nëse duhet apo jo", tha Subashi, duke iu referuar një tjetër pike të këtij neni, pikës 5, e cila përcakton ankimimin në Kolegjin Zgjedhor të vendimit të KQZ-së. "Dua të citoj nenin 138/5, se çfarë lidhet me këtë dispozitë, e cila lë të hapur ankimimin në Kolegjin Zgjedhor", tha ajo. Por nga ana e tij, kryetari i KQZ-së shpjegoi se "KQZ është e detyruar të bëjë rinumërim dhe rivlerësim, jo për ato që kërkojnë dy anëtarë të caktuar të saj por për vota të caktuara. Ndërsa kërkesa ankimore e PS-së kërkon rinumërim të gjithë qarkut". Kërkesa e dy anëtarëve mori katër vota kundër për të mos u pranuar dy vota pro që të vijonin procedurat e mëtejshme dhe abstenimin e Pandeli Varfit, përfaqësuesit të PSD-së në këtë komision. Kërkesat ankimore të dy subjekteve politike PDK dhe PS ishin të afërta në qëllimet e tyre. Fillimisht u shqyrtua kërkesa ankimore e PDK-së, gjatë së cilës ishte i pranishëm edhe kreu i kësaj partie, Nard Ndoka. Deklarimet se KQZ merr vendime politike me udhëzime nga drejtuesit e PD-së shkaktoi reagimin e ashpër të përfaqësuesit juridik të kësaj partie, Niazi Kosovrasti. "Me urdhër të merimangës së zezë, votat e PDK-së u shpallën të pavlefshme. Unë e di që keni marrë urdhra se si duhet të votoni, e di që keni marrë urdhër që ta mbyllni sa më shpejt", tha ai. Ndërsa përfaqësuesi i PD-së, Kosovrasti, i kërkoi Ndokës që mos bëjë deklarata politike në sallën e KQZ-së, por në tribuna politike. "Sulmet tuaja ndaj drejtuesve të PD-së dhe të KQZ-së janë të pavend, madje të qëllimshme për të njollosur procesin zgjedhor", tha Kosovrasti.