Berisha i dorëzon Eliza Dushkut pasaportën shqiptare
Kryeministri Berisha i ka dorëzuar sot pashaportën shqiptare aktores së mirënjohur të Hollivudit, me origjinë shqiptare, Eliza Dushku.
Shefi i qeverisë shqiptare i ka dorëzuar aktores pasaportën biometrike dhe kartën e identitetit, pas kërkesës së saj për t`u pajisur me shtetësinë dhe dokumentet shqiptare të identifikimit.
Aktorja Eliza Dushku u shpreh se ndjehej krenare që tashmë zotëronte edhe pasaportën shqiptare ndërsa më pas e njohu Kryeministrin me vizitat që ajo kishte zhvilluar në disa qytete të vendit, nga jugu në veri dhe impresionet e saj gjatë këtij udhëtimi, të cilin ajo e cilësoi mbresëlënës dhe që i mundësoi të njihej me natyrën, historinë, traditat, artin dhe kulturën shqiptare.
Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që aktorja e mirënjohur ishte pjesë e projektit për realizimin e dokumentarit që promovon Shqipërinë turistike, historinë, traditat dhe potencialet e saj. Kryeministri tha se edhe kjo iniciativë do të jetë një kontribut i çmuar për bërjen të njohur edhe më gjerë të bukurive të Shqipërisë dhe promovimin e turizmit shqiptar, e cila këtë vit është shpallur nga Lonely Planet si një ndër destinacionet kryesore turistike të botës.
“Shqipëria, me peisazhin e saj unik, ku ndërthuren malet me detin dhe liqenet, po bëhet një destinacion gjithnjë e më i preferuar për turistët e huaj, që edhe këtë vit kanë vizituar në një numër shumë të lartë Shqipërinë. Ne kemi bërë investime të mëdha për të mbështetur zhvillimin e turizmit në infrastrukturën rrugore, sikundër po ndërtojmë impiante të fuqishme për pastrimin e ujërave, kemi ndërmarrë nisma fiskale për përjashtimin nga taksat për një periudhë disavjeçare për ata që investojnë në zonat turistike malore dhe do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që bukuritë shqiptare të bëhen gjithnjë e më të prekshme për këdo” theksoi kryeministri Berisha.