Berisha i dyzuar, privatizim ose kthim të pyjeve në varësi të pushtetit lokal
Në një kohë kur qeverisë shqiptarë i kërkohet që të administrojë vetëm 10% të pyjeve dhe kullotave dhe pjesa tjetër të kalojë në varësi të pushtetit vendor, kryeministri i vendit Sali Berisha ka kërkuar miratimin e një skeme për privatizimin dhe kthimin tek pronarët.
Një gjë të tillë Berisha e ka bërë të ditur në takimin e sotëm me ministritë dhe institucionet e ngarkuara për zbatimin e procesit të transferimit të pyjeve dhe kullotave në varësi të pushtetit vendor.
Qeveria nuk do të mund të ketë më shumë se 10 % të pyjeve. U takon ju, së bashku me institucionet e varësisë të përzgjidhni këtë 10 % se cila do të jetë, por më shumë se kaq nuk mund të administrojë. Ky është një standard kudo në vendet e BE. Ky standard është që pyjet u përkasin komunave dhe bashkive, tha Berisha.
Ndërsa po në këtë mbledhje ai tha se shpresoj që ju të përpunoni një skemë jo vetëm të kthimit në të gjitha rastet të pyjeve tek të zotët, atje ku ka pronar, por unë do tu vlerësoja shumë ju në qoftë se ju do të gjeni mekanizma transparente të privatizimit të pyjeve, pra ti bëjmë pyjet me zot. Kreu i qeverisë po ashtu ngulmoi edhe tek zhvillimi i pyjeve me drurë frutorë.
Pyjet dhe kullotat mbulojnë rreth 1.5 milion hektarë ose 52% të sipërfaqes totale të territorit të Shqipërisë ndërsa në një raport të ministrisë së Mjedisit të vitit 2009 thuhet se vetëm pyjet mbulojnë 36% të territorit, që do të thotë se ky proces ka një ndikim të madh financiar.
Në 5-6 vitet e fundit sipas kryeministrit janë transferuar në pronësi të pushtetit lokal rreth 800 mijë ha pyje dhe kullota ose 50 % e fondit të tyre dhe shtoi se në fund të vitit 2012, Shqipëria do jetë një nga vendet me pronësitë publike më të ulëta në Evropë.