E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca: Spahiu ka ushtruar presion mbi gjyqësorin për platformën e tij politike

Share

Akuza: Spahiu është larguar në misione afatgjata pa marrë leje

Gazetat pranë qeverisë kanë zbardhur kërkesën e mazhorancës për shkarkimin e Kreshnik Spahiut. Berisha u duk dje i befasuar nga lajmi që deputetët e tij po kërkojnë shkarkimin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ai i falënderoi atë për veprimin. Në kërkesën e PD thuhet se Spahiu ka ushtruar veprimtari politike të papajtueshme me detyrën. Ai akuzohet se ka ushtruar presion ndaj gjyqësorit për platformën e tij politike. Në fund thuhet se ai është larguar në misione afatgjata pa marrë leje.

Tani pritet të ngrihet një komision hetimor parlamentar, i kryesuar nga mazhoranca, që do hetojë për këto akuza dhe do përgatisë një raport ku kërkohet shkarkimi i Spahiut.

Më poshtë janë argumentet e mazhorancës kundër Spahiut:

-Ka devijuar nga funksioni kushtetues dhe e ka zëvendësuar atë me veprimtari politike të papajtueshme me detyrën. Kushtetuta i kërkon zëvendëskryetarit të KLD-së të përfaqësojë në publik institucionin kushtetues, dhe jo interesa grupazhi politik. Si i zgjedhur në KLD nga Kuvendi i Shqipërisë, zoti Spahiu është i detyruar nga Kushtetuta e Shqipërisë të përfaqësojë në publik objektivat, qëllimet dhe platformat e Kuvendit në funksion të drejtësisë dhe asgjë tjetër. Përfaqësimi i qëndrimeve dhe grupeve të caktuara politike është i papranueshëm nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit.

-  Ka abuzuar në mënyrë flagrante me kompetencat që i jep Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe ushtrimi i tyre si presion ndaj Gjyqësorit dhe veprimtarisë së tij kushtetuese, në favor të platformave të caktuara politike. Zëvendëskryetari i KLD-së ka ushtuar presion të një natyre politike mbi veprimtarinë gjyqësore, duke abuzuar me tagrin e tij dhe të KLD-së. Ai ka angazhuar KLD-në dhe sistemin e drejtësisë në funksion dhe në shërbim të tezave të veta politike. Shqetësimet e Kuvendit të Shqipërisë për gjendjen e Gjyqësorit, luftën ndaj korrupsionit, paanësisë në gjykim, transparencën, të shprehura në rezolutat e përvitshme të Kuvendit për sistemin e drejtësisë apo në rezolutat për integrimin europian të Shqipërisë, me dashje janë anashkaluar dhe zëvendësuar me veprime dhe qëllime tërësisht të një axhende politike personale.

-  Është larguar me misione afatgjata dhe në mënyrë të përsëritur, në funksion të axhendës politike, pa leje të autoriteteve eprore sipas ligjit, gjë që ka dëmtuar rëndë veprimtarinë e institucionit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›