E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediat e huaja për rastin Meta: Korrupsioni po pengon Shqipërinë e varfër të ecë përpara

Share

Lidhja mes mosdënimit të Metës dhe korrupsionit që po pengon vendin është indirekt fajësim i tij. Ndërsa mediat e huaja janë kaq kritike, mediat shqiptare japin Metën duke luajtur tenis

Para pak ditësh, Drago Kos, presidenti i GRECO, Grupit të Shteteve të Këshillit të Europës Kundër Korrupsionit, vlerësoi akuzën shqiptare, që ka guximin dhe çon politikanë përballë gjykatës, por deklaroi se vendi duhet të bëjë edhe një hap shtesë për dënimin e tyre nga gjykata.

Mund të konsideroheni me fat që ata të paktën janë akuzuar, janë ndjekur, janë hetuar, pasi ka shumë vende të rajonit që as nuk do të guxonin të dërgonin në gjyq një politikan të lartë. Kjo tregon se sistemi në Shqipëri funksionon të paktën në nivelin e hetimit, dhe tashmë ju duhet vetëm të bëni edhe një hap shtesë, tha Kos.

Dje ai hap nuk u bë. Por nisur nga ajo që thotë Kos dhe që mendojnë shumë shqiptarë, e vërteta nuk është në krahun e Metës.

Por shumë media të huaja i kanë kushtuar vëmendje rastit të Metës. Duke u nisur nga raportimet e dy gjigandëve të mëdhenj, AP dhe Reuters, lajmin e pafajshmërisë së Metës e gjen që nga Washington Post, CBS, ABC, DPA e deri në Xinhua-n kineze.

Një gjë të bie në sy, që mediat e huaja bëjnë lidhje të shkurtër mes mosdënimit të Metës për korrupsion dhe faktit që integrimi i vendit po pengohet rëndshëm nga mungesa e luftës ndaj korrupsionit.

Pasi jep lajmin se Ilir Meta u shpall i pafajshëm për akuzën për korrupsion, Washington Post shkruan: Shqipëria, një nga vendet më të varfra në Europë, po kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Europian, por blloku me 27 vende thotë se vendi ballkanik nuk ka bërë mjaftueshëm për të çrrënjosur korrupsionin.

Kurse Reuters shkruan direkt në paragrafin e dytë se: Korrupsioni dhe mangësitë në demokraci kanë dëmtuar rëndë kërkesën e Shqipërisë për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Nuk thotë asnjëra prej tyre se është opozita që po pengon integrimin e vendit, siç deklaron Berisha.

Të lidhësh këto dy gjëra, siç bëjnë agjencitë e huaja, është njësoj sikur të quash Metën indirekt fajtor.

Ndërsa mediat e huaja na bëjnë këtë shërbim, mediat shqiptare kënaqen duke transmetuar Metën duke luajtur tenis.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›