Kurti: Jemi pro parimeve të BE-së
Drejtuesi i lëvizjes “Vetëvendosje”, në një intervistë dhënë për “Radion Evropa e Lirë”, deklaron fuqishëm se kjo lëvizje është në përputhje me parimet e BE-së.
Ne nuk jemi kundër parimeve të Bashkimit Evropian dhe konsiderojmë se reciprociteti është parim dhe vlerë e Bashkimit Evropian. Të gjitha shtetet anëtare në Bashkimin Evropian janë shtete, të cilat i ndërtojnë marrëdhëniet e tyre nëpërmjet reciprocitetit, nëpërmjet njohjes së ndërsjellë, nëpërmjet marrëveshjeve të shumta bilaterale që i bëjnë. Dhe kësisoj, ne jemi plotësisht në përputhje me parimet e Bashkimit Evropian.
Për të, kundërshtimet që shtetet e Kuintit kanë shfaqur me rastin e protestës së 14 janarit, kanë qenë të ndikuara nga Qeveria e Kosovës, e cila ka përmendur dhunën.
Paraprakisht, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e hiqte nga goja fjalën dhunë dhe mendoj që ata kanë ndikuar që deklarata e Kuintit të jetë e tillë. Pra, Kuinti po e ndiqte perceptimin e Qeverisë të Republikës së Kosovës. Por, pas 14 janarit, u dëshmua që në fakt, ata të cilët flisnin për dhunë, kishin edhe një plan të dhunshëm. Ishte Qeveria e Republikës së Kosovës ajo e cila urdhrat politikë i kishte mbi Policinë e Kosovës dhe kësisoj, në kundërshtim me ligjin në Kosovë.
Gjatë fjalës së tij, ai vuri në dukje dhe njëherë se protesta nuk ka qenë vetëm në mbrojtje të Republikës, nuk ka qenë vetëm kundër Serbisë, por ka qenë edhe për prodhimin vendor.