E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha i jep Saninos projektin e integrimit

22/03/2012  Integrimi i vendit, Tirana zyrtare i dorëzon planin e veprimit BE-së

Stefano Sanino, duke e cilësuar planveprimin një dokument serioz, ka theksuar se procesi i integrimit është një proces gjithëpërfshirës dhe në zbatimin e tij të përfshihen të gjitha palët.

Brukseli ka marrë zyrtarisht planin e integrimit nga ana e Tiranës zyrtare. Ishte vetë Kryeministri Sali Berisha që i dorëzoi drejtorit të Zgjerimit të KE-së planveprimin, ku pas kaq shumë kohësh pjesë e punës ishte dhe opozita parlamentare. Ndërkohë optimizmi shtohet më tej kur nga vetë përfaqësuesi i KE-së vlerësohet puna e deritanishme e Tiranës zyrtare. Kështu, pas marrjes në dorë të planveprimit të 12 rekomandimeve nga kreu i qeverisë shqiptare, Sanino u drejtoi një mesazh të gjitha palëve: të gjithë bashkë do të çojmë Shqipërinë në BE.

Takimi

Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Integrimit kreu i qeverisë shqiptare i ka dorëzuar drejtorit të Zgjerimit të KE-së planveprimin e hartuar për zbatimin e rekomandimeve të kërkuara për procesin e integrimit, i cili është hartuar pas një pune serioze nga mazhoranca, opozita, shoqëria civile, me ndihmën direkte të përfaqësuesve të Komisionit Europian.

“Kam nderin dhe kënaqësinë t’i dorëzoj planin e veprimit, i cili është një plan i hartuar pas një pune serioze të përbashkët të të gjitha forcave politike shqiptare, mazhorancës dhe opozitës, shoqërisë civile dhe në një ndihmë direkte serioze të KE-së, përfaqësuesit e të cilit gjatë kësaj periudhe kanë pasur në qendër të vëmendjes ndihmën e vendit tonë për të çuar përpara reformat e nevojshme për procesin e integrimit”, - vuri në dukje Kryeministri Berisha. Ndërkohë nuk mungoi dhe një herë ftesa për përforcimin e bashkëpunimit mes palëve politike në kuadër të procesit integrues. “Procesi i integrimit mbetet procesi më themelor për Shqipërinë e shqiptarët, për të cilin qeveria ka vendosur të ndërmarrë çdo masë për të përmbushur detyrimet e saj, por ky proces është gjithëpërfshirës dhe të gjitha forcat politike në vend kanë programin e tyre integrimin ne BE”, - u shpreh kreu i ekzekutivit sa i takon një çështje të tillë. Madje, si për të përforcuar një apel të tillë, Kryeministri Berisha i mëshoi faktit se duke pasur parasysh rolin e qeverisë nuk mund të jetë tjetër veçse një proces gjithëpërfshirës. “Pra, pavarësisht kush është në pushtet, me promovimin e këtij procesi të gjitha forcat politike bëhen bashkaksionere në projektin më madhor të kombit dhe vendit të tyre. Në këtë kontekst, kjo frymë gjithnjë e më shumë po mbizotëron sot në Shqipëri”, - tha kreu i qeverisë. Nga ana e tij drejtori i Zgjerimit në KE, Stefano Sanino, duke e cilësuar planveprimin një dokument serioz, ka theksuar se procesi i integrimit është një proces gjithëpërfshirës dhe në zbatimin e tij të përfshihen të gjitha palët. Zyrtari i KE-së kërkoi përfundimin sa më të shpejtë të reformës elektorale, ndërsa mirëpret heqjen e imunitetit të zyrtarëve. Gjithashtu drejtori për zgjerimin ka kërkuar angazhimin e të gjitha palëve në favor të integrimit dhe ka shprehur mbështetjen e gatishmërinë e tij për të ndihmuar Shqipërinë.

Deklarata

Në ligjëratën e tij në mbledhjen e djeshme të Komitetit Ndërministror të Integrimit kreu i ekzekutivit, në prezencë edhe të drejtorit të Zgjerimit në KE, Sanino, rikonfirmoi arritjet e vendit për sa u takon disa reformave të rëndësishme, si: elektorale, reforma në gjyqësor, gjykata administrative dhe përmirësimi i Rregullores së Kuvendit. Në këtë mënyrë, ndalur në këto zhvillime, Kryeministri informoi Saninon se pozita dhe opozita janë dakord për heqjen e imunitetit, duke theksuar njëkohësisht faktin se mazhoranca do të pranojë propozimin e sjellë nga e majta parlamentare. Gjatë fjalës së tij kreu i ekzekutivit sqaroi gjithashtu se janë bërë hapa pozitivë për reformën e pronësisë dhe brenda këtij mandati do të përfundojë regjistri dixhital i pronës. Një vëmendje të veçantë Kryeministri u kushtoi të drejtave dhe lirive të njeriut, sidomos të minoriteteve.

Mbështetja e KE-së

“KE-ja dhe BE-ja mirëpresin frymën e re konstruktive të bashkëpunimit ndërmjet të gjitha forcave politike, në mënyre që të çojnë përpara axhendën europiane. Dua të theksoj se suksesi në zbatimin e kësaj axhende është një sukses për të gjithë dhe jo një sukses vetëm për një palë politike”, - deklaroi Sanino në fjalën e tij.

Takimi me Topallin

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi dje takim me drejtorin e përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionit Europian, Stefano Sanino, të cilit i rikonfirmoi angazhimin e Kuvendit për të bërë çdo gjë drejt finalizimit me sukses të 12 rekomandimeve, në mënyrë që Shqipëria të meritojë statusin e vendit kandidat.

Heqja e imunitetit

“Do të pranojmë atë formë që opozita e quan më të përshtatshme për heqjen e imuniteteve në Shqipëri. Jemi gati të zbatojmë dhe një marrëveshje që Shqipëria ka që në vitin 2004 me Këshillin e Europës. Të bëhemi një vend pa imunitete lidhur me korrupsionin dhe krimin e zakonshëm", - u shpreh Kryeministri Berisha.

Konfigurimi i së majtës në dorë të reformës zgjedhore

Milo: Ikim nga koalicioni nëse s’ndryshon sistemi

Reforma zgjedhore dhe projekti final i saj do të bëjë të mundur krijimin e një tabloje të qartë të kampeve politike. Kjo për faktin se janë vetë partitë politike, qofshin këto parlamentare dhe jo të tilla, ato që e kanë kushtëzuar pozicionin e tyre pikërisht me produktin final të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Ndërkohë që dhe vetë fati i koalicionit të majtë do të varet pikërisht nga kjo çështje. Kështu, kreu i partisë “Demokracia Sociale”, Paskal Milo, edhe pse beson se kreu i opozitës do t’i përmbahet premtimit që u ka bërë aleatëve të tij për të mbështetur kërkesën e tyre kryesore, atë të korrektimit kombëtar të sistemit aktual zgjedhor, deklaron se si forcë politike ka një plan rezervë, nëse aleati i madh shkel marrëveshjen. Sipas Milos, nëse Partia Socialiste nuk do të respektojë marrëveshjen me aleatët e saj, atëherë kjo forcë politike do të qëndrojë larg koalicionit me partinë më të madhe në spektrin e majtë. Por planin rezervë për të qëndruar larg koalicionit me Partinë Socialiste në rast se reforma zgjedhore nuk përmbush kërkesat e partive të vogla duket se e kanë dhe aleatët e tjerë të këtij kampi. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e vetmja aleate e Partisë Socialiste e përfaqësuar në Kuvend, gjithashtu ka paralajmëruar se reforma e ligjit elektoral do të jetë kusht i qëndrimit të saj në koalicionin e majtë, duke paralajmëruar bashkëpunimin me partinë që do të krijojë Presidenti Topi. Publikisht kryesocialisti Rama ka deklaruar se do të mbështesë kërkesën e partive të vogla për korrektim kombëtar të proporcionalit rajonal. Megjithatë, bashkëhartuesit socialistë të reformës zgjedhore nuk e shohin këtë si kusht për një reformë gjithëpërfshirëse dhe transparente.

Festimet për 22 marsin

Shoqata “Tirana” aktivitete në Ditën e Demokracisë

Kryeqyteti do të festojë sot 22 marsin, ditën e parë të demokracisë në Shqipëri. Në nderim të kësaj dite shoqata “Tirana” në bashkëpunim me institucionet vendore do të organizojë një sërë aktivitetesh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin mes Ministrisë së Brendshme dhe sheshit “Nënë Tereza”. “Sot pas 20 vjetësh mund të themi se Tirana, kryeqendra e shqiptarëve, është një metropol i zhvilluar. Sot të gjitha rrugë të çojnë në Tiranë. Askush nuk mund ta imagjinonte këtë para 20 vjetësh. Një realitet për krijimin e të cilit kanë kontribuar në vite, pa dallim, të gjithë qytetarët: intelektualë, sipërmarrësit, institucionet vendore, politikanë, artistë etj. Dhe ky realitet e ka zanafillën pikërisht në 22 marsin e vitit 1992”, - u shpreh kryetari i shoqatës “Tirana” Arben Tafaj. Ai bëri të ditur për mediet programin e festimeve të këtij përvjetori, i cili parashikon një sërë aktivitetesh, që do të fillojnë paradite e do të vazhdojnë deri në mesditën e nesërme. Shoqata “Tirana” ka kërkuar nga policia që të pezullojë lëvizjen e automjeteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›