Ja si ndahen mandatet

Komisioni i Reformës Zgjedhore miratoi dje pasdite formulën e shpërndarjes së mandateve, ndërsa vendosi që diskutimet për administratën zgjedhore të vijojnë ditën e sotme, derisa të arrihet një konsensus edhe për këtë kapitull. Ndërkaq, formula e shpërndarjes së mandateve dhe administrata zgjedhore kanë qenë dy çështjet më delikate të Kodit të ri Zgjedhor, kjo edhe për shkak të kundërshtimeve të disa partive të vogla. Miratimi i këtyre kapitujve sjell edhe një “afrim” të Kodit të ri Zgjedhor me votën parlamentare, pasi kapitujt e tjerë janë përfunduar prej disa kohësh.
Numërimi i mandateve
Numri i mandateve për secilën zonë zgjedhore do të përcaktohet në raport me numrin e shtetasve të secilës zonë zgjedhore e çdo deputet do të përfaqësojë një numër afërsisht të njëjtë votuesish. Numri total i shtetasve sipas regjistrit kombëtar të gjendjes civile do të pjesëtohet me numërimin 140 të mandateve të kuvendit, duke përcaktuar numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati të Kuvendit. Mandatet për çdo zonë përcaktohen falë pjesëtimit të numrit të shtetasve me vendbanim në zonën zgjedhore me numrin mesatar.
Përllogaritja e mandateve
Për zgjedhjet në Kuvend përjashtohen nga shpërndarja e mandateve të partive politike që kanë marrë më pak se 3 për qind dhe koalicionet që kanë marrë më pak se 5 për qind të votave të vlefshme në zonën zgjedhore përkatëse. Numri i votave të secilit subjekt do të pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme me numra natyrorë të njëpasnjëshëm të quajtur pjesëtues, duke filluar me numrin 1 deri tek numri i mandateve që shpërndahen në qarkun përkatës. Hapi nga njëri përpjesëtues tek tjetri është 1. Ndërkaq, në rastin e përllogaritjes së mandateve të koalicioneve pjesëtimi fillon me numrin 1 dhe përfundon me numrin natyror, që i korrespondon dyfishit të numrit të mandateve që shpërndahen në zonën zgjedhore përkatëse. Hapi nga njëri përpjesëtues tek tjetri në këtë rast do të jetë 2. Sipas burimeve nga komisioni i hartimi të kodit, përmes kësaj formule të llogaritjes së mandateve ulet edhe pragu elektoral, shumë i kritikuar nga partitë e vogla, që pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese më 21 prill.
KQZ
Duke iu referuar draftit të hartuar nga ekspertët e komisionit, në zgjedhjet e ardhshme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të përbëhet më nga 9 anëtarë, por vetëm nga 7. Dy anëtarë propozohen nga partia që ka numrin më të madh të vendeve nga partitë e mazhorancës qeverisëse dhe po dy anëtarë nga partia më e madhe e opozitës. Kandidaturat në fjalë i paraqiten më pas Kuvendit për votim. Anëtari i pestë zgjidhet nga kandidatura të propozuar nga grupime deputetësh të partive të mazhorancës, ndërsa i gjashti nga grupime deputetësh të opozitës. Ndryshe nga çfarë akuzon sot LSI-ja, nëse kjo do të ndodhte, kjo parti së bashku me parti të tjera opozitare mund të propozonte një kandidat. Pra, nuk ka asnjë përjashtim. Votimi për të gjashtë anëtarët zhvillohen në një ditë të vetme. Një ndryshim ka edhe në mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të KQZ-së. Ky i fundit do të zgjidhet tashmë jo nga KQZ-ja, por nga parlamenti. Partia më e madhe në pushtet propozon 4 kandidatura, ndërsa grupi parlamentar i partisë më të madhe opozitare duhet të përzgjedhë dy prej tyre, të cilat shkojnë më pas për votim në Kuvend. Në të kundërt, zëvendëskryetari zgjidhet nga anëtarët e KQZ-së, me propozim të partisë më të madhe të opozitës.
Administrimi i zgjedhjeve
Komisionerët sikundër edhe në të shkuarën, do të jenë përfaqësues politikë. Por, ndryshe nga zgjedhjet e shkuara vendore, kur numri i tyre ishte 15-të, ai në zgjedhjet e ardhshme do të jetë vetëm 7. Dy anëtarë të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor do të propozohen nga partia më e madhe e pozitës e dy të tjerë nga ajo e opozitës. Dy anëtarët e tjerë do të propozohen respektivisht nga partia e dytë e pozitës dhe e opozitës. Në këtë rast, detyrimisht, bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të mëparshme, LSI-ja mbetet jashtë, pasi komisioneri në fjalë i takon PSD-së nga opozita, e PR-së nga mazhoranca. Anëtari i shtatë do t’i përkasë në gjysmën e KZAZ-ve, partisë më të madhe në pushtet, ndërsa në pjesën tjetër, asaj më të madhe opozitare. Në rastet kur pozita ka kryetarin, opozita do të ketë nënkryetarin dhe e anasjellta.