Berisha i kujton Metës: Ke marrëveshje për ta zgjedhur presidentin me PD
Berisha qetëson deputetët e tij: Mund të them se takimi me LSI ishte një takim që u përcaktua nga vendosmëria e plotë për ti qëndruar marrëveshjes dhe vlerësim i madh për marrëveshjen qeverisëse që ekziston mes dy forcave tona
Kryeministri Sali Berisha e nisi mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike duke i kujtuar Ilir Metës se ka marrëveshje për ta zgjedhur presidentin me PD.
Dua të rikujtoj se në marrëveshjen e datës 2 shtator 2009, në faqen tre të kësaj marrëveshje, thuhet: Zgjedhja e presidentit do bëhet mbi bazën e konsensusit midis PD dhe LSI. Ky është përcaktimi kontraktual midis dy forcave të koalicionit qeverisës. Në përputhje me mandatin që dha kryesia dhe afatin e përcaktuar nga Kushtetuta, ne nisëm menjëherë serinë e konsultimeve dhe negociatave, natyrisht së pari me aleatët tanë. Mund të them se takimi me LSI ishte një takim që u përcaktua nga vendosmëria e plotë për ti qëndruar marrëveshjes dhe vlerësim i madh për marrëveshjen qeverisëse që ekziston mes dy forcave tona qeverisëse. Referim i qartë në nenet që kanë të bëjnë me zgjedhjen e presidentit të Republikës, tha Berisha.
Kryeministri garantoi deputetët e tij se Ilir Meta ka thënë se do respektojë marrëveshjen për qeverisjen, ku përfshihet edhe zgjedhja e presidentit.
Kryesia e PD dhe vetë PD është dhe mbetet e mendimit të palëkundur se procesi i përzgjedhjes dhe zgjedhjes së presidentit është procesi më serioz midis dy zgjedhjeve të përgjithshme, është procesi më i rëndësishëm midis zgjedhjeve për qytetarët shqiptarë. Duke e konsideruar të tillë, ne jemi të bindur që procesi më dinjitoz, procesi më serioz, procesi më transparent, është ai proces që respekton plotësisht librin themelor të shtetit, ligjin mbi të cilin ndërtohen të gjitha institucionet e vendit, Kushtetutën e Shqipërisë. Qëndrimi ynë është dhe do mbetet kryekëput kushtetues. Asgjë nuk mund të na spostojë nga respekti i plotë dhe total i ligjit themelor të shtetit, tha Berisha.
Në takimet me aleatët spikati në mënyrën më të kristaltë vendosmëria e koalicionit qeveritar për të respektuar Kushtetutën e vendit, që parashikon në tre raundet e para votimin e presidentit me 3/5. Ndonëse ka një marrëveshje, e cila autorizon zgjedhjen e presidentit si konsensus mes PD e LSI, por këto dy forca ranë dakord të punojnë me përkushtim që presidenti të zgjidhet me 3/5, ose edhe më shumë, ashtu siç përcakton Kushtetuta e vendit.