Berisha sulmon gazetën Tema, presidentin dhe opozitën: Rama do të më rrëzojë, por do jem edhe pas vitit 2017
Kryeministri Sali Berisha e nisi mbledhjen e qeverisë duke qetësuar deputetët e tij se LSI nuk do i lëvizë marrëveshjes bashkëqeverisëse, por edhe paktit për ta zgjedhur presidentin bashkë. Më pas nisi një seri sulmesh e fyerjesh ndaj atyre që mendon se po përgatisin rrëzimin e tij.
Berisha sulmoi gazetën Tema, duke i thënë se është një gazetë që herë del e herë zhduket dhe paguhet prej Ramës, pas një editoriali të botuar për rrëzimin e Berishës pas deklaratës së DASH se këtu ka vdekur mundësia për të rrëzuar qeverinë me votë. Ne nuk jemi zhdukur ndonjëherë përveçse kur u sulmuam barbarisht nga kjo qeveri. Sot jemi gazeta më e lexuar ndër shqiptarë, përfshi lexuesin Berisha.
Pastaj e vazhdoi me presidentin Topi. Duke folur se si duhet të jetë presidenti i ri, Berisha tha: Është e vetëkuptueshme, një person që shkëput të gjitha lidhjet me partinë e vet. Natyrisht edhe me pronat dhe nuk shkon në gjyqe me familjarët e tij sa kohë është president i Republikës. I mbyll disa kapituj dhe qëndron në skeptrin e kreut dinjitoz të shtetit shqiptar. Me një orientim të qartë euroatlantik, me atdhetarizëm të padiskutueshëm. Pra, mirëkuptimi ynë dhe aleatëve tanë është ti japim vendit jo një president pazaresh, një produkt pazaresh aprincipiale, por një president me kredenciale të larta.
Dhe në fund foli për thuajse gjysëm ore për opozitën, duke i quajtur atë bllokmenë dhe kryetarin e PS, enverist.
Ne iu drejtuam Partisë Socialiste. Patozi bëri një ftesë me shkrim për Gramoz Ruçin që të takohen dhe të bisedojnë për këtë çështje themelore të vendit dhe shqiptarëve. Çfarë ndodhi? Në vend të përgjigjes me shkrim, Edi Rama nisi editorialin e radhës, në të cilin betohet solemnisht se do rrëzojë këtë qeveri me çdo kusht. Dhe se rrëzimi dhe vetëm rrëzimi i qeverisë është problemi kryesor i këtij vendi dhe se zgjedhja e presidentit dhe çdo gjë duhet të jetë në funksion të rrëzimi të qeverisë. Ky editorial erdhi pas një vetëinterviste që zoti Rama botoi duke i vënë emrin e Ruçit, tha Berisha.
Ftesës sonë për të negociuar për zgjedhjen e presidentit iu përgjigjën me një ultimatum me katër kushte, plotësimi i të cilave sipas tij, do ishte i domosdoshëm që PS të heqë dorë nga politikat bllokuese. Ai faktoi se do të përdorë procesin e presidentit në funksion të editorialit të tij. Por qëllimi i tij është bllokimi i statusit. Rrëzimin e qeverisë nuk e realizon dot. Ka dy vjet që mashtron bashkëpunëtorët e tij se rrushi do piqet në pranverë, vjeshtë, por rrushi i tyre mbeti i papjekur, vijoi kryeministri.
Më pas Berisha ripërsëriti qëndrimet e tij për reformën zgjedhore, reformën parlamentare dhe atë për heqjen e imunitetit.
Zoti Rama kërkon takim me mua. Unë nuk jam ODIHR-i. Rama këtë pikë e ka të zgjidhur me ne, nëse merr një opinion tjetër nga ODIHR-i. Por ne nuk dalim kundër udhëzimeve të ODIHR. Kërkesën për takim e ka për bllokim, jo për zhbllokim, tha Berisha.
Tani kërkon që militantë të partisë së tij të kenë të drejtën ligjore që në KQZ të hapin nga e para të gjithë procesin. A nuk e kupton se kjo është shkatërrimtare për procesin zgjedhor? Kjo është më e dëmshme për opozitën, se për qeverinë. Opozita mund të kërkojë njëherë, ne kërkojmë dy herë se kemi katër vetë në KQZ, tha Berisha, duke thënë se Rama vepron si Enver Hoxha.
Duke folur për heqjen e imunitetit, Berisha tha: Nuk e lë Tom Doshi të heqë imunitetin. Nuk e ka problemin me Sali Berishën, e ka me klubin e miliarderëve të Partisë Socialiste. Pse, pranon Sadri Abazi të heqë imunitetin? Artan Gaçi jep dy të tretat e pasurisë për të mbajtur imunitetin.
Në fund të fjalës së tij, Berisha tha: I bëj apel zotit Rama, në interesin më të mirë të vendit, të angazhohemi për ti dhënë Shqipërisë një president të besueshëm, një president që u fakton shqiptarëve se dinë të qëndrojnë mbi forcat politike. Le të angazhohemi në negociata serioze dhe jo në kurthe. Ke tre vjet që i mban me injeksione ata që të rrethojnë se do e rrëzosh këtë qeveri. Edhe në vitin 2017 do kesh këtë qeveri kështu siç vazhdon ti.
