E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha i ofron Ramës Presidentin

SHKRUAN: Nevila Perndoj 21-06-2011 10:46

TIRANË Kryeministri i vendit, Sali Berisha, u paraqit dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së me një look të ri, por edhe me një propozim të ri. Ngërçi dhe acarimi i madh politik mes palëve në këtë verë të nxehtë, duket se po shkon përtej asaj që zanafillën e ka më 8 maj, apo edhe më larg, më 28 qershor 2009. Ndërsa tensionet nuk janë ulur, për shkak të hapjes së kutive në KQZ, duket se maxhoranca po bën ofertën e saj për zgjidhjen e ngërçit, nisur kjo edhe nga takimi i djeshëm i ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian i mbajtur në Luksemburg, që konkludoi me një deklaratë për Shqipërinë. Presidenti dhe Avokati i Popullit, apo edhe një sërë reformash dhe votimesh në Parlament, që kërkojnë shumicë të cilësuar, pritet të jenë së shpejti në qendër të një negociimi në distancë mes pozitës dhe opozitës. Zgjedhja e Avokatit të Popullit kërkon 3/5-at në Kuvend. Po ashtu edhe kalimi i ligjit për Gjykatën Administrative. Zgjedhja e Presidentit, edhe pse në raundin e katërt, kalon me 71 vota, në tre raundet e tjera mund të bëhet vetëm me 84 vota, çka i lë hapësirë maxhorancës dhe opozitës të negociojnë për një emër konsensual në kuadër të një marrëveshje që mund t’i jepte fund krizës politike 2-vjeçare. Berisha bëri dje ofertën e tij, por në anën tjetër edhe opozita po bën lëshimet e saj. Burime nga PS-ja deklaruan dje për gazetën “Mapo” se ajo do t’i japë fund politikës radikalizuese. Protestat do të jenë larg, ndërsa një paketë propozimesh për reformat në vend, pritet të jetë lëvizja e dytë e rëndësishme e opozitës pas vendimit për tu futur në Kuvend.

Oferta e Berishës

Para deputetëve demokratë, kreu i ekzekutivit, duke iu referuar mbledhjes së ministrave të Jashtëm në Luksemburg, i ofroi opozitës, për herë të parë pas kaq muajsh konflikti, një paketë kompromisi, ku bie në sy propozimi i tij për t’i dhënë Partisë Socialiste të drejtën e saj ekskluzive për të propozuar dhe miratuar pa asnjë kandidaturë alternative nga mazhoranca të gjithë ato kandidatura që duan 3/5 e votave në Kuvend. “E ftoj opozitën që të marrë të gjithë rolin dhe peshën e saj në ushtrimin e pushtetit, që i ka dhënë sovrani. Të gjitha kandidaturat me 3/5 do të jenë ekskluzivisht propozime të saj, pa një alternativë nga shumica. Në të gjitha ligjet me 3/5 do të ketë drejtën të bëjë të gjitha amendamentet, që mendon se përmirësojnë standardet e tyre dhe mazhoranca t’i votojë. Pra takimi i sotëm i Luksemburgut është një thirrje në interesin më të mirë të çdo qytetari të këtij vendi, të çdo force politike të këtij vendi. Është një ofertë jashtëzakonisht e rëndësishme, në mënyrë që procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Europian të ecë me ritmet e merituara. Uroj që të lexohet njëlloj nga të gjitha forcat politike të vendit”, - tha Berisha. Por përpos dëshirës së Kryeministrit të vendit për t’u lexuar njësoj, Partia Socialiste shpreh mosbesimin e saj për ofertën e kreut të ekzekutivit. Burime nga PS-ja deklaruan dje për gazetën “Mapo” se oferta e Berishës do të merret në shqyrtim me rezerva për arsyen e thjeshtë se, eksperienca ka treguar se Kryeministri i vendit shpesh herë, për hir të rrethanave dhe kompromiseve politike të çastit, ka ndryshuar qëndrim. Ndërsa burime nga PD-ja sqaruan se ftesa e kreut të ekzekutivit është e sinqertë dhe se ajo duhet parë pikërisht në këtë prizëm.

Kandidaturat që votohen me 3/5-at

Burime nga selia blu theksuan gjithashtu se kandidatura që kërkon së afërmi 3/5-tat e votave është ajo e Avokatit të Popullit. Po këtë vit mbaron edhe mandati i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, por për të dyja këto poste, vendos Presidenti i Republikës. Konkretisht, Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje. E njëjta procedurë ndiqet edhe për kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ky i fundit zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi, me propozim të Presidentit të Republikës. Ai qëndron në detyrë për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje. Andaj në ofertën e Kryeministrit të vendit, aktualisht mbetet në lojë vetëm emri i Avokatit të Popullit, një ofertë që në fakt PD-ja e ka parashtruar kohë më parë dhe se opozita pak e ka marrë parasysh. Për rrjedhojë, ajo që mbetet si pikëpyetja më e madhe është mundësia e një pakti për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Mandati i Presidentit të Republikës, Bamir Topi, mbaron në fund të muajit korrik të vitit tjetër. Në bazë të Kushtetutës, Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë, kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë, zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Kuorumi paraprak për 3/5 e votave, fjala e Kryeministrit të vendit Sali Berisha, por edhe pretendimi i kahershëm dhe nën zë i opozitës, për të pasur një president konsensual, mund të hapë një tjetër spirale, dhe ndoshta mund të shënojë një marrëveshje të dytë, po aq të rëndësishme për Presidentin, siç ishte ajo mes Nanos dhe Berishës në vitin 2002, për zgjedhjen e Alfred Moisiut në krye të shtetit. Kësaj here, zgjedhja e Presidentit të ri merr një rëndësi të veçantë, edhe për faktin se kushdo që do të zgjidhet në këtë post do të ketë të drejtën që të emërojë në krye të Prokurorisë së Përgjithshme një tjetër prokurore, pas përfundimit të mandatit të Ina Ramës, në muajin nëntor të vitit që vjen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›