E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma, Berisha: Gati të pranojmë amendimet e PS

TIRANË- Në një kohë kur beteja për Tiranën vijon të mbetet e hapur, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, i ka kërkuar dje opozitës, që të propozojë të gjitha amendamentet që ajo mund të ketë për reformën e ardhshme zgjedhore. Por, ashtu si edhe herën tjetër, Kryeministri Berisha ka deklaruar se mazhoranca do t’i pranojë këto amendime, vetëm pasi të merret përgjigjia për këto amendime nga Komisioni i Venecias dhe zyra juridike e OSBE/ODIHR-it. “Garantojmë plotësisht opozitën shqiptare dhe komunitetin ndërkombëtar, se ne mbetemi të angazhuar për një hapësirë të plotë në reformën zgjedhore, për t’i dhënë përparësi në këtë reformë propozimeve të opozitës për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Këto rekomandime, një pjesë e mirë e tyre janë adresuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Të tjerat kanë gjetur mishërim të shkëlqyer në vendimet e Gjykatave të vendit. Për të tjerat që kanë mbetur, përsëri unë dua të ftoj opozitën të hartojë amendamentet, t’i dërgojë ato në Komisionin e Venecias e në Departamentin Juridik të OSBE/ODIHR dhe kjo mazhorancë do t’i votojë pa asnjë kusht, pa asnjë koment. Mendoj se kjo është fryma e kompromisit maksimal, e koncesionit maksimal që i shërben vendit”, - tha ai, duke shtuar se në reformën e ardhshme zgjedhore, përparësi duhet të marrë opozita. Berisha tha gjithashtu se i mbetet mendimit se numërimi elektronik i votave do të ishte, sipas tij, përgjigjia e shkëlqyer e diskutimeve që ai i cilësoi si të panevojshme. “Qeveria është e gatshme të vendosë në të 4700 qendrat e votimit, sistemin më të sigurt dhe më të mirë elektronik, që ekziston në ndonjë vend. Njëkohësisht, vendosja e sistemit elektronik do të bëjë të mundur që për Shqipërinë, për vendin e tyre, të votojnë edhe qindra e mijëra emigrantë shqiptarë, aksionerë me kontribut themelor në zhvillimin e këtij vendi”, - tha ai

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›