E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat e BE-së: Situata shqetësuese! Rivendosni urgjentisht dialogun!

“Në Shqipëri situata shqetësuese. Duam të shohim mbylljen e procesit të zgjedhjeve, duam të shohim vendosjen e dialogut të menjëhershëm”. Kjo ishte deklarata e djeshme e përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme në Bashkimin Europian, Catherine Ashton, në përmbyllje të takimit të ministrave të Jashtëm. Ashton nënvizoi faktin se BE-ja pret përfundimin me sukses të gjithë procesit zgjedhor në vend dhe vetëm pasi BE-ja të marrë rezultatin përfundimtar të këtij procesi do të nisë bisedimet me qeverinë dhe opozitën. “Ka dy gjëra, procesi zgjedhor duhet të përfundojë. Sapo të marrim vesh rezultatin, do flasim me qeverinë dhe opozitën se çfarë do të vijë më pas. Duam që procesi të jetë transparent dhe të përfundojnë në mënyrë të suksesshme”, nënvizoi Ashton, e pyetur nga mediat shqiptare. Paralelisht me konferencën, ministrat e Jashtëm të BE-së miratuan një deklaratë të përbashkët me konkluzione pas diskutimit mbi Shqipërinë dhe situatën paszgjedhore. “Bashkimi Europian ka ndjekur me vëmendje zgjedhjet lokale të 2011-s dhe thekson se ato u zhvilluan përgjithësisht në mënyrë të qetë, transparente dhe konkurruese, pavarësisht vështirësive proceduriale. Sidoqoftë, situata në Tiranë është çështje shqetësuese. Bashkimi Europian shpreh keqardhje për situatën politike dhe tensionet e rritura që pasuan procesin”, thuhet në deklaratë. Ministrat e Jashtëm vënë në dukje vendimin e Kolegjit Zgjedhor, ndërsa nënvizojnë se është thelbësore që procesi zgjedhor, përfshirë edhe procedurën e apelimeve dhe të përpilimit të rezultatit final nga KQZ, të përfundojë me transparencë, pavarësi dhe në përputhje me bazën ligjore ekzistuese. “Është gjithashtu thelbësore që të gjitha partitë të njohin epërsinë e shtetit ligjor mbi çdo interes tjetër. Bashkimi Europian u kërkon liderëve politikë të mbështesin përfundimin e procesit zgjedhor me qetësi, në mënyrë konstruktive dhe me fokus në të ardhmen europiane të vendit. Bashkimi Europian do të ndjekë nga afër vlerësimet mbi procesin nga ana e misionit të OSBE/ODIHR-it”, thuhet në deklaratën e konkluzioneve. Më tej, Bashkimi Europian nxit qeverinë dhe opozitën në bashkëpunim me shoqërinë civile që të bien dakord mbi reformën elektorale, duke adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR-it në vitin 2007, 2009 dhe 2011 përpara zgjedhjeve të ardhshme. Bashkimi Europian vë në dukje edhe qëllimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës për t’i kërkuar Komisionit të Venecias një opinion sesi të shmangen situata të ngjashme në zgjedhjet e ardhshme. Në deklaratë, Bashkimi Europian i bën thirrje qeverisë dhe opozitës që të kthejnë urgjentisht dialogun politik dhe të tejkalojnë ngërçin e gjatë politik që ka përfshirë vendin. I tillë dialog konsiderohet si i domosdoshëm për funksionimin normal të çdo shoqërie demokratike dhe institucioneve të saj, duke përfshirë edhe funksionimin e Parlamentit si dhe avancimin e integrimit europian të Shqipërisë. Bashkimi Europian nxit autoritetet shqiptare për të rigjallëruar dhe forcuar përpjekjet në axhendën e reformave dhe për zbatimin e tyre. Këto janë jetike, thuhet në deklaratë, për të përmbushur kriteret e Kopenhagenit, duke përfshirë edhe 12 rekomandimet e dhëna nga Komisioni Europian në raport progresin e vitit 2010. “Vetëm pasi të përmbushen të gjitha sa u thanë më lart, Shqipëria do të mund të ecë drejt Bashkimit Europian”, paralajmëron deklarata. Në përmbyllje, ministrat e Jashtëm kujtojnë se Bashkimi Europian mbetet i angazhuar ndaj perspektivës europiane të Shqipërisë dhe do të mbështesë përpjekjet e këtij vendi në këtë proces. D.Malaj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›