E Diel, 1 Nëntor 2026

Numërimi në 5 njësi, Basha kryeson me 83 vota

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi dje hapjen e kutive dhe gjetjen e votave të hedhura gabimisht në KZAZ-të numër 48 dhe 49, që përkojnë me minibashkinë 4 dhe 5 në Tiranë. Në përfundim të këtij procesi rezulton se kandidati i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka një avantazh me 83 vota ndaj kandidatit të Partisë Socialiste Edi Rama. Sot pritet të vazhdojë numërimi me votat e hedhura gabimisht në njësinë 6 dhe 7 në kryeqytet. Në orët e paradites së djeshme u numëruan votat në njësinë 4 dhe pas hapjes së rreth 160 kutive rezultuan një numër i barabartë fletësh të hedhura gabimisht, respektivisht 53 vota për kandidatin demokrat Lulzim Basha dhe 53 vota për rivalin e tij, kandidatin socialist Edi Rama. Hapja e kutive është ndërprerë për disa minuta pasi një prej vëzhguesve të PS lexoi gabim procesverbalin e gjetur në kuti. Kaq ka mjaftuar që Arben Ristani ta cilësojë atë fillimisht si të padëshiruar në këtë proces. Kërkesa e zotit Ristani është përkrahur edhe nga anëtarja Vera Shtjefni, por është kundërshtuar nga zëvendëskryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi. Ristani nuk e ka pranuar argumentin e Subashit se propozimi për ta larguar vëzhguesen Anila Çobani ishte i padrejtë, pasi ajo nuk bëri asgjë përveç një gabimi njerëzor. Me 4 vota pro, Çobani është larguar nga salla e KQZ–së, me motivacionin si e padëshiruar në proces. Në orët e pasdites, KQZ numëroi votat e hedhura gabim në kutitë e njësinë 5. Ristani përjashtoi edhe një vëzhgues tjetër të Partisë Socialiste, pasi me pretendimin e tij vëzhguesi Altin Gjino ka përdorur një komunikim të parregullt në sallë. Komisioneri i PS në KQZ, Genc Gjonçaj ka protestuar ndaj këtij vendimi, duke akuzuar kryetarin se po përjashton pa të drejtë vëzhguesit e majtë. “Kreu i KQZ po përjashton pa asnjë arsye vëzhguesit tanë. Vëzhguesi i PS po bënte detyrën dhe shprehu kontestimin e tij”, deklaroi Gjonçaj. Ndërkohë, në orët e darkës përfundoi numërimi i kutive të njësisë numër 5 të kryeqytetit, nga i cili kanë rezultuar 8 vota për Lulzim Bashën dhe 3 për Edi Ramën. Me këtë numërim, avantazhi i kandidatit të Aleancës për Qytetarin shkon në 83 vota plus ndaj kandidatit Aleanca për të Ardhmen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›