Integrimi, Lajçak: Shqipëria ka humbur kohë
Diplomati i lartë europian Miroslav Lajçak tha se Shqipëria ka humbur shumë kohë me mosmarrëveshjet e brendshme pas dy zgjedhjeve të fundit dhe vendi duhet të fillojë dialogun për të kapërcyer situatën e krijuar dhe afrimin e vendit me strukturat europiane. Lajçak i bëri këto komente në Uashington, i ftuar në një diskutim mbi perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit. Ndërkohë që Shqipëria po përpiqet të kapërcejë tensionin e brendshëm politik që u shfaq pas zgjedhjeve të përgjithshme të 2009 dhe u acarua më tej pas zgjedhjeve lokale të 8 Majit, Miroslav Lajçak, drejtori i menaxhimit për Europën dhe Azinë Qendrore, në zyrën për marrëdhëniet me jashtë të Bashkimit Europian, thotë se pa dialog mes palëve nuk do të ketë zgjidhje të problemeve. “Ne ofrojmë ndihmën tonë, por duam të shohim përpjekje. Pa dialog politik, ne do të vazhdojmë të shohim probleme, si ato që kemi ndeshur pas zgjedhjeve të fundit të përgjithshme dhe pas zgjedhjeve të fundit lokale. Kur të nisë dialogu politik, do të ketë progres dhe kjo sigurisht do të vlerësohet nga Bashkimi Europian”, vlerëson ai. Miroslav Lajçak, i dërguari disa herë i përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian për politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Catherine Ashton, për të zgjidhur krizën politike në Shqipëri, thotë se Shqipëria ka humbur shumë kohë dhe duhet t’i zgjidhë me shpejtësi mosmarrëveshjet për të rikuperuar kohën e humbur. “Nëse udhëheqësit politikë dhe partiakë nuk arrijnë të bien dakord mes tyre, ajo që bëjmë ne në Europë është të kërkojmë opinionin e institucioneve europiane, OSBE-ODIHR-it, Komisionit të Venecias, Këshillit të Europës ku Shqipëria është vend anëtar, për të marrë një platformë që do të jetë pikë-nisje për të gjithë shoqërinë. Shqipëria ka humbur shumë kohë dhe kjo është periudha e duhur për të rikuperuar këtë humbje, në mënyrë që raporti i komisionit për këtë vit të jetë pozitiv”, theksoi Lajçak. Megjithëse konstaton se e ardhmja europiane e Shqipërisë është e padiskutueshme, zyrtari i lartë i BE-së thotë se shpejtësia dhe suksesi i këtij procesi është tërësisht në duart e politikanëve shqiptarë dhe të popullit shqiptar. Zyrtari i lartë i Bashkimit Europian ishte i ftuar në një diskutim të zhvilluar nga Qendra për Marrëdhënie Transatlantike në universitetin Johns Hopkins për perspektivën europiane të Ballkanit. Ai tha se, megjithëse zgjerimi nuk është pika kryesore në rendin e ditës të Bashkimit Europian, të përballur tani me mundësinë e paqëndrueshmërisë financiare të disa vendeve të eurozonës, Brukseli do të vazhdojë të nxisë reformat dhe kërkon të shohë përparim nga të gjitha vendet që synojnë të anëtarësohen në BE. Përveç Kroacisë, që duket se është e para, në listën më të afërt janë edhe Serbia dhe Mali i Zi.