E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha i ofron Ramës komisionin, por jo hapjen e kutive të votimit



Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha është munduar dje të zbusë tonet ndaj kërkesave të opozitës, por duke i ofruar “një lugë bosh”. Kreu i qeverisë, gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e qeverisë, është shprehur se është gati të pranojë ngritjen e komisionit hetimor parlamentar me shumicën e deputetëve të PS-së, por ky komision, sipas tij, nuk mund t’i hapë kutitë e votimit. Kjo deklaratë e Berishës nuk sjell asnjë ndryshim të situatës për shkak se kërkesa kryesore e Partisë Socialiste është hapja e kutive të dyshimta të votimit dhe rinumërimi i votave në ato qendra ku dyshohet për manipulim të rezultatit. Berisha, gjithashtu, gjatë fjalës së tij, komentoi raportin e Komisionit Europian duke e cilësuar atë ndër më të mirët për Shqipërinë. Ai vuri theksin te procesi zgjedhor duke u shprehur se në raport konstatohet se zgjedhjet në Shqipëri përmbushën zotimet kryesore të OSBE-së, që përbënte kushtin kryesor për një demokraci funksionuese.
Deklarata
“Shqipëria del nga lista e vendeve ku renditej më parë me zgjedhje problematike, me zgjedhje që përmbushnin vetëm pjesërisht standardet ose me zgjedhje që nuk i përmbushnin standardet. Këtu një kontribut të madh dhanë të gjithë qytetarët shqiptarë, dhanë miqtë e Shqipërisë kudo në botë, dhanë forcat politike, dha opozita shqiptare që sot bojkoton Parlamentin, por që mori pjesë në zgjedhje, përzgjodhi sistemin zgjedhor dhe pati zërin kryesor në Kodin aktual Zgjedhor”, - është shprehur Berisha, ndërsa e ka cilësuar absurde kërkesën e opozitës për rinumërimin e fletëve të votimit. “Dua t’u them shqiptarëve se nuk ka kërkesë më absurde, nuk ka kërkesë më ogurzezë, sesa të pretendosh të vendosësh vullnetin politik mbi vendimet e gjykatave, është në rregullin themelor të ndarjes së pushteteve. Sovrani ia ka dhënë të gjitha ato pushtete Ekzekutivit, Parlamentit, Presidentit, por nuk u ka dhënë gjithçka atyre. Një pjesë të pushtetit ua ka dhënë trupave gjykuese, të cilat, edhe pse nuk kalojnë në votë, kanë themel të çeliktë në kushtetutat e vendeve demokratike për veprimtarinë e tyre”, - është shprehur Berisha. Ai ka sqaruar se nuk mund të ketë rinumërim votash, pasi kjo kërkesë e opozitës është rrëzuar me vendim të formës së prerë të Gjyqësorit dhe se Parlamenti nuk ka hapësirë ligjore të gjykojë vendimet e Gjyqësorit. “Unë dua t’i informoj shqiptarët se për katër qarqet që zoti Rama pretendon për rinumërim, Gjykata e Apelit të Kolegjit Zgjedhor ka hedhur poshtë kërkesat për rinumërim dhe i ka hedhur poshtë bazuar në ligjin zgjedhor të vendit. Komisioni hetimor parlamentar, i bazuar në Nenin 77 të Kushtetutës, sipas ligjit organik të këtij komisioni, nuk mund të shqyrtojë çështje që janë në juridiksionin e gjykatave. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2003, që plotëson Nenin 77 të Kushtetutës, me fuqi plotësuese për Kushtetutën, përcakton qartë se hetimi parlamentar, në mënyrë kategorike, nuk mund të shtrihet në çështje të tjera, të cilat kanë qenë apo janë objekt i hetimit gjyqësor dhe i gjykimit”, - është shprehur Berisha. Ai ka shprehur urimin e tij që kryetari i PS-së të lexojë Raportin e KE-së dhe vlerësimin për zgjedhjet dhe e ftoi atë të përgatisë ndryshimet që do t’i bëhen sërish Kodit Zgjedhor. “Uroj dhe dëshiroj që zoti Rama ta lexojë Raportin me objektivitet dhe e garantoj për hapësira shumë të mëdha në të gjitha të tjerat, të marrë përsipër e të përgatisë të gjitha amendamentet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e ardhshme, e garantoj se jam i gatshëm të krijoj që nesër komision hetimor dhe, ndonëse ligji nuk lejon, që ai të ketë shumicën, por, meqenëse është një çështje midis shumicës dhe pakicës, unë e pranoj atë. Unë pranoj që të ndërtojmë komisionin sipas ligjit, por e garantoj se një anëtar i komisionit i shumicës në mënyrë konstante nuk do të shkojë në komision dhe nuk do të zëvendësohet, për t’i lënë atij shumicën”, - është shprehur Berisha, ndërsa u shpreh i gatshëm për ngritjen e komisionit hetimor dhe hetimin e çështjeve që lidhen me shkarkimin e punonjësve, me implikimet e administratës në zgjedhje, si dhe me lirimin e të burgosurve për qëllime elektorale. “Çdo gjë është e hetueshme, përveç vendimeve të gjykatave. Kjo ka ndodhur vetëm në vitin e zi ’53 a ’54, kur anëtarët e Byrosë Politike u ulën në tavolinë dhe vendosën ekzekutimin e intelektualëve për bombën në Ambasadën Sovjetike, ndërkohë që gjyqin e bënë formalisht dy ditë më vonë. Por nuk mund të ndodhë kurrë në një vend demokratik që politika të mund të thyejë vendimet gjyqësore. Ato vendime sovrani ia ka besuar gjykatës. Ky është parimi i ndarjes së pushteteve”, - është shprehur Berisha.

Raporti, Berisha premton thellim të luftës kundër korrupsionit

Duke e vënë theksin në çështjet e konstatuara në Raportin e KE-së për Shqipërinë, Berisha tha dje në mbledhjen e qeverisë se do të thellohet lufta kundër korrupsionit. Ai u kërkoi ministrave që secili të marrë masat për luftë pa kompromis ndaj korrupsionit në dikasteret që mbulojnë. Kryeministri tha se është shumë e rëndësishme që në Raport theksohet se Shqipëria vazhdon luftën kundër korrupsionit, si një prioritet kyç i partneritetit europian. Kryeministri kërkoi nga ministrat e kabinetit shqyrtimin e çdo procedure të veprimtarisë së qeverisë dhe institucioneve të saj, për ta nxjerrë jashtë korrupsionit nëpërmjet reformave. “Cilido që të jetë çmimi i këtyre reformave në rast se ato parandalojnë korrupsionin, ju garantoj se janë të dobishme”, - tha kryeministri.
Kryeministri u shpreh se procesi i dixhitalizmit do të ketë përparësi absolute për t’i bërë sa më transparente dhe për të minimizuar problemet që shfaqen në hipoteka apo në Komisionin e Kthimit të Pronave. Ndër të tjera, kryeministri theksoi se nëpërmjet masave sa më efikase do të synohet të zmbrapset sa më shumë presioni i korrupsionit në Tatime, në Dogana, në Polici dhe në të gjitha institucionet e tjera.

Vendimi, Spahia dhe Starova emërohen zëvendësministra të Mbrojtjes

Këshilli i Ministrave vendosi gjatë mbledhjes së djeshme emërimin e kryetarit të PLL-së, Ekrem Spahia, në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes. Gjatë mandatit të kaluar katërvjeçar, Spahia ka mbajtur postin e zëvendësministrit të Kulturës. Po gjatë mbledhjes së djeshme qeveria emëroi kryetarin e PBLD-së, Arian Starova, në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes. Këto emërime janë bërë në bazë të marrëveshjeve elektorale që kryeministri Berisha kishte nënshkruar me krerët e këtyre partive. Ndërkaq, në postin e zëvendësministrit të Kulturës është emëruar Dashnor Bajaziti.

22 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›