E Shtunë, 31 Tetor 2026

Metalla: “Sulmi ndaj Marrëveshjes me Greqinë cenon interesat e vendit”



Partia Demokratike e konsideroi reagimin e opozitës kundër Marrëveshjes detare me Greqinë si sulm ndaj interesave të vendit. Dy ditë pas dorëzimit në Gjykatën Kushtetuese të ankimimit të kësaj marrëveshjeje nga ana e PS-së dhe disa parti të tjera opozitare, Partia Demokratike reagoi dje nëpërmjet deputetit Osman Metalla, i cili u shpreh se “atakimi që i bëhet kësaj marrëveshjeje është një sulm që u bëhet interesave të Shqipërisë”. Sipas tij, në asnjë kohë nuk ka pasur kufij të përcaktuar detarë mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë. “Në përcaktimin e vijës ndarëse janë zbatuar praktikat më të mira të së drejtës ndërkombëtare detare”, - është shprehur Metalla. Marrëveshja dypalëshe mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke për delimitimin e hapësirave detare dhe shelfit kontinental me Greqinë u ankimua dy ditë më parë në Gjykatën Kushtetuese nga partitë e opozitës. Përfaqësues të PS-së u shprehën se kërkesa vinte nga shqetësimi se kjo marrëveshje ishte hartuar në mungesë të transparencës dhe në llogaritje të gabuara hartografike.

PD-ja reagon ndaj raportit për lirinë e medias: “Cenimi i lirisë, spekulim”

Partia Demokratike ka reaguar pas publikimit të raportit të “Reporterëve pa kufij” për lirinë e medias në Shqipëri, duke e cilësuar si një keqinterpretim të individëve dhe të klaneve që raportojnë të pavërtetën mbi situatën në Shqipëri. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, tha dje se “të njëjtat klane që përpiqen të ngjallin katastrofizëm dhe panik në mediat që sundojnë duke abuzuar me kohën, emocionet, intelektin dhe paratë e shqiptarëve, keqinterpretojnë mesazhin e reporterëve mbi Shqipërinë”. Mëhilli theksoi se, sipas PD-së, raporti përcjell një mesazh të qartë për të gjithë editorialistët, botuesit dhe pronarët e medias në Shqipëri “për shkak se njihet tashmë mirë dhe ne e kemi denoncuar vazhdimisht shantazhin e ashtuquajtur leje ndërtimi është e barabartë me kohë televizive, ku kryetari i PS-së, Edi Rama, është ideatori dhe ndërtuesi i këtij tregu të turpshëm”. “Është e vërtetë që raporti i publikuar i ‘Reporterëve pa kufij’ lëshon një sinjal alarmi, por jo për lirinë e medias në Shqipëri, por për përgjegjshmërinë, integritetin, profesionalizmin dhe raportin e medias me të vërtetën në Shqipëri”, - është shprehur zëdhënësja e PD-së.

22 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›