E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjakmarrja, Rama thirrje

Poliçan -Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama është ndaluar në Qendrën e Rehabilitimit të Fëmijëve të Ngujuar në qytetin e Poliçanit. Kreu socialist ka biseduar me 22 fëmijët që jetojnë në këtë qendër. Duke e konsideruar fenomenin e gjakmarrjes një çështje kombëtarë Rama u shpreh se ky fenomen kërkon dhe një zgjidhje kombëtare. "Ky është një problem kombëtar dhe kërkon një zgjidhje kombëtare. Mbi të gjitha këta fëmijë nuk janë në një situatë në të cilën mund t'i lihet në dorë ping-pongut të institucioneve. Kjo është një përgjegjësi e shtetit shqiptar dhe shteti shqiptar para këtyre fëmijëve duhet të jetë një, gjë që do të thotë që të gjithë duhet në këtë rast të marrin përgjegjësinë që u takon”-tha Rama.

Shefi i opozitës, deklaroi se këtë problem “duhet ta zgjidhim bashkërisht, duke dhënë të gjithë kontributin tonë pa parë kufijtë politikë apo institucionalë dhe duke kërkuar që çdonjërit prej tyre t'i bëhet kujdesi më i madh i mundshëm dhe t'i jepet shërbimi më i mirë i mundshëm”.

“Problemi është që kjo situatë duhet zgjidhur në rrugë shtetërore dhe përgjegjës për jetën, mirërritjen sigurinë e këtyre fëmijëve është dhe duhet të jetë shteti. Ajo që unë besoj është se ne mund dhe do ta zgjidhim problemin e tyre, që të krijojmë kushtet sa më të mira të mundshme dhe t'u japim shërbimin më të mirë të mundshëm, jo për të bërë dhe duke bërë politikën e përfitimit të ditës nga kjo dramë njerëzore, por duke bërë prindin, duke bërë mësuesin, role që duhet t'i bëjë shteti kur prindi mungon, ose kur mësuesi apo mësuesja mungojnë. Sepse këta fëmijë nuk mund të shkojnë dot në shkollë siç shkojnë të gjithë, aty ku janë lindur, aty ku kanë shtëpinë e nënës dhe babait. Ky është roli i shtetit, për këtë u duhet njerëzve shteti"-tha Edi Rama nga Poliçani.

Në këtë qendër jetojnë 22 fëmijë jetim, kryesisht bij të policëve të vrarë dhe që janë në gjakmarrje. Pak ditë më parë, në media shpërtheu një skandal në këtë qendër për shkak të kushteve të vështira dhe trajtimit jo të mirë të këtyre fëmijëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›