E Diel, 1 Nëntor 2026

E ndiqte policia, bie nga kati i pestë 21-vjeçari



Një 21-vjeçar, i cili ndiqej nga policia si i dyshuar për vendosjen e një sasie eksplozivi në një lokal në Tiranë, u plagos rëndë dhe rrezikon jetën, pasi ra nga kati i pestë i një pallati. I riu, Erges Isufi, ka rënë nga një ndërtesë në zonën e “Ali Demit”, ndërsa po përpiqej që t’i shmangej arrestimit të uniformave blu. Shoku i tij u është dorëzuar agjentëve, ndërsa 21-vjeçari ishte varur jashtë duke u mbajtur në sheshpushimin e pallatit. Sipas njoftimit të policisë, agjentët i kanë bërë thirrje të riut që të mos rrezikonte dhe të futej në pjesën e brendshme të shkallëve. Por, pas disa sekondash, personi ka rënë nga kjo lartësi duke u plagosur. Menjëherë u njoftua shërbimi shëndetësor i urgjencës dhe pas disa minutash, personi është dërguar po nga ky shërbim në Spitalin Ushtarak në Tiranë.

Punonjësit e Patrullës së Përgjithshme kishin marrë informacion për dy të rinjtë, të cilët mendoheshin se ishin autorë të vendosjes së një sasie lënde plasëse në rrugën “Emin Duraku”, në lagjen Tirana e Re. Ata ishin parë duke lëvizur me motor në zonën e “Ali Demit”.

Sipas policisë, pak pas mesnatës së ditës së djeshme, rreth orës 00:01, një Patrullë e Përgjithshme e vendosur në pikë– kontrolli në rrugën “Ali Demi”, ka konstatuar një motor që lëvizte me shpejtësi në këtë aks dhe i ka dhënë shenjë ndalimi.

Uniformat blu u kanë bërë thirrje të rinjve që të ndaleshin, por personat që ndodheshin në motor nuk i janë bindur shenjës së policisë, duke iu shmangur pikës së kontrollit. Patrulla e Përgjithshme është vënë në ndjekje të personave që ndodheshin në motor, të cilët për t’iu shmangur ndjekjes dhe ndalimit, kanë devijuar rrugën kryesore, duke e braktisur motorin në hyrjen e një pallati.

Më pas, të rinjtë hynë në shkallët e brendshme të pallatit, dhe vetëm në katin e tretë të këtij pallati është bërë e mundur kapja e njërit prej autorëve të dyshuar. Sipas policisë, “në këtë moment agjentët kanë vënë re një person tjetër, i cili ishte varur me duar në anën e jashtme të sheshpushimit të katit të pestë. Në këto kushte, ata i kanë bërë thirrje të riut, që të mos rrezikonte dhe të futej në pjesën e brendshme të shkallëve. Por, pas disa sekondash, personi ka rënë nga kjo lartësi duke u plagosur rëndë. Është njoftuar menjëherë shërbimi shëndetësor i urgjencës dhe 21-vjeçari u dërgua për të marrë ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Ushtarak të Tiranës. I riu ishte Erges Isufi dhe banonte në Shkozë.

Hetimet

Pronari i lokalit, Gerald Shyti, rreth 19 vjeç, e cilëson ngjarjen si aksidentale. Ai hedh dyshimet se kjo ngjarje mund të ketë ardhur si pasojë e një ngatërrese. Ndërsa nuk përjashton mundësinë se të dy personat mund të jenë porositur për të lënë sasinë e lëndës në derën e lokalit të tij. Shyti sqaron se nuk i njihte personat, madje dhe as nuk i ka pasur klientë në lokalin në të cilin ai e kishte marrë me qira 5 muaj më parë.

Ndërkohë që i ati i tij, nuk ka asnjë shpjegim në lidhje me këtë ngjarje. Ai madje shton se të dy të rinjtë që morën pjesë në këtë ngjarje mund të jenë paguar për të bërë një gjë të tillë. Burime nga policia bëjnë me dije se janë duke hetuar për këtë ngjarje mbi disa pista. Dy prej të cilave është ajo e konkurrencës, ndërsa po hetohet edhe për ndonjë zënkë të vjetër të 19-vjeçarit.

Shpërthimi

Ngjarja ndodhi rreth orës 00:50 në lokalin “Dea” në rrugën “Emin Duraku”, pranë një pallati 5-katësh. Sipas policisë, në derën e pasme të lokalit janë vendosur rreth 100 gr tritol. Autorët janë dy djem të rinj rreth të 20-tave që kanë kaluar me motor mbrapa pallatit, duke vendosur një sasi eksplozive tek dera e pasme e lokalit. Më pas, ata janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Nga shpërthimi i cili ka qenë i menjëhershëm nuk ka pasur dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale. Nga lënda plasëse e përdorur, është shkatërruar dera e pasme të lokalit, si dhe është prishur një pjesë e tavanit. Sipas burimeve nga policia, në ato momente në lokal ka qenë vetëm kamerieri si dhe pronari i saj, Gerald Shyti, i cili është nxënës në vitin e katërt të shkollës së mesme “Ismail Qemali”. Gjatë momentit të shpërthimit, ai së bashku me kamerierin ishin duke pastruar ambientin, para se ta mbyllnin. Këta të fundit pasi kanë dëgjuar shpërthimin kanë lajmëruar policinë. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet policore të komisariatit të policisë nr. 2 Tiranë, si dhe ekspertë xhenierë. Lokali ishte marrë me qira nga i riu.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›