E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi/ Prokuroria hetoi pa të drejtë dhe politikisht Lulzim Bashën dhe Rrugën që bashkon kombin


Gjykata e Apelit konfirmoi dje vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, duke e nxjerrë hetimin e prokurorisë, si një aksion kryekëput politik, i cili kryhej me porosi politike të opozitës dhe kundër Rrugës së Shqiptarëve


Lulzim Basha nuk është më i pandehur, ndërsa dje ai ka fituar një tjetër betejë me Prokurorinë e Përgjithshme. Ka qenë Gjykata e Apelit e cila shpalli të pavlefshëm te gjitha veprimet e kryera nga Prokuroria e Përgjithshme pas datës 6 nëntor 2008, përfshirë edhe komunikimin e akuzës për ish-ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Nëpërmjet këtij vendimi, Gjykata e Apelit vendosi ta zhveshë ministrin e Jashtëm nga akuzat e “shpërdorimit të detyrës”, duke i cilësuar veprimet e prokurorisë si të paligjshme. Ky vendim konfirmoi edhe njëherë përfshirjen politike të Ina Ramës dhe zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme në një hetim që kryekëput është trajtuar me emocionalitet dhe me ngarkesë negative. Përpjekjet për të shpëtuar ngritjen e një akuze politike ndaj Lulzim Bashës sollën edhe nxitimin e më pas gafat e prokurorisë. Pas këtij momenti, erdhën edhe vendimet e gjykatave të të dyja shkallëve, të cilat folën për një shpërdorim të së drejtës nga ana e institucionit, por edhe japin një mesazh për Gjykatën e Lartë, e cila fare mirë mund të lexojë vullnetin politik negativ të Prokurorisë, po aq sa edhe falsitetin e akuzave të ngritura ndaj njërit prej ithtarëve për të flaktë për ndërtimin e Rrugës së Shqiptarëve.


Vendimi


Trupi gjykues i kryesuar nga Pajtim Hoxha, la dje në fuqi dje vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë të Tiranës të shpallur në mesin e muajit dhjetor të vitit 2008, nga gjyqtarja Fatmira Hajdari për pavlefshmëri të veprimeve të Prokurorisë së Përgjithshme për zgjatjen e afateve të hetimit (6 nëntor-6 dhjetor). Sikurse Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës, më se një muaj e gjysmë më parë, edhe Gjykata e Apelit dje e ka cilësuar të paligjshëm çdo veprimi të kryer pas 6 nëntorit 2008, kur

Ministri Lulzim Basha, u vu nën akuzë për abuzime me fondet e lëvruara për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash. 


Vendimi i dhënë dje nga Gjykata e Apelit është i formës se prerë dhe i detyrueshëm për t’u zbatuar. 


Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Apelit, erdhi pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë. Apelimi i këtij vendimi u bë nga Prokuroria e Përgjithshme, me argumentimin se është Gjykata e Lartë kompetente për të shqyrtuar kërkesat penale të bëra nga personat që gëzojnë imunitet. Sipas prokurorisë, Lulzim Basha gëzon imunitetin e deputetit dhe për pasojë çdo kërkesë e tij duhet të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë.


Ndërkohë, Gjykata e Larte ka nisur shqyrtimin çështjes “Basha” dhe ka caktuar datën 27 shkurt për zhvillimin e seancës. Në këtë seancë, pritet që kolegji i Gjykatës së Lartë të ketë në dosje edhe vendimin e formës së prerë të dhënë dje  nga gjyqtari Pajtim Hoxha në Gjykatën e Apelit.


Debatet


Debatet dhe përplasjet në gjyqësor, midis Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrit Lulzim Basha, e kanë zanafillën pas tendencës së organit të akuzës, për vazhdimin e hetimeve për aksin rrugor Rrëshen-Kalimash, edhe pas datës 6 nëntor 2008, kur kishin skaduar të gjitha afatet hetimore. Pas kësaj tentative të Prokurorisë së Përgjithshme, Ministri Basha ankohet në gjykatë dhe në 18 nëntor 2008, gjyqtari Sokol Tona i Gjykatës së Shkallës së Parë e Tiranës, vendos se rishtyrja e hetimeve të Prokurorisë së Përgjithshme për dosjen “Durrës-Kukës” pas datës 6 nëntor 2008 është e pavlefshme.


Në kundërshtim me këtë vendim, në 24 nëntor 2008, prokuroi Arben Kraja, i Prokurorisë së Përgjithshme, i dërgon fletëthirrjen Ministrit Lulzim Bashës, për ta pyetur si të pandehur për dosjen “Durrës-Kukës.


Dy ditë më pas, në 26 nëntor 2008, avokati i Ministrit Lulzim Basha, Zef Nikaj depoziton në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës një ankesë kundër fletëthirrjes së prokurorisë, për marrjen si të pandehur të klientit të tij, kundër vendimit të gjykatës. 


Jo vetëm kaq, por në 27 nëntor 2008, Ministri i Jashtëm Lulzim Basha refuzon dhe nuk paraqitet në prokuroi, duke e cilësuar flet-thirrjen ndaj tij si ta papajtueshëm me vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë ët Tiranës të 18 nëntor 2008.


I gjendur përballë një refuzimi të tillë, në datën 5 dhjetor 2008, prokurori Arben Kraja, i Prokurorisë së Përgjithshme, dërgon në Gjykatën e Lartë dosjen në ngarkim të Ministrit Lulzim Basha, ndërsa avokati Zef Nikaj, kishte refuzuar nënshkrimin e mbylljes së hetimit.


Ndërsa në 15 dhjetor 2008, gjyqtarja Fatmira Hajdari e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, vendosi pranimin e kërkesës së mbrojtjes së Ministrit Lulzim Basha, duke e  quajtur të jashtëligjshme fletëthirrjen e prokurorisë.


Kronologjia


18 nëntor 2008 – Gjyqtari Sokol Tona i Gjykatës së Shkallës së Parë e Tiranës, vendos se rishtyrja e hetimeve të Prokurorisë së Përgjithshme për dosjen “Durrës – Kukës” pas datës 6 nëntor 2008 është e pavlefshme.


24 nëntor 2008 – Prokuroi Arben Kraja, i Prokurorisë së Përgjithshme, i dërgon fletëthirrjen Ministrit Lulzim Bashës, për ta pyetur si të pandehur për dosjen “Durrës – Kukës, kundër vendimit të gjykatës të datës 18 nëntor 2008. 26 nëntor 2008 – Avokati i Ministrit Lulzim Basha, Zef Nikaj depoziton në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës një ankesë kundër fletëthirrjes së prokurorisë, për marrjen si të pandehur të klientit të tij, kundër vendimit të gjykatës. 27 nëntor 2008 – Ministri i Jashtëm Lulzim Basha refuzon dhe nuk paraqitet në prokuroi, duke e cilësuar flet-thirrjen ndaj tij si ta papajtueshëm me vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë ët Tiranës të 18 nëntor 2008. 05 dhjetor 2008 – Prokurori Arben Kraja, i Prokurorisë së Përgjithshme, dërgon në Gjykatën e Lartë dosjen në ngarkim të Ministrit Lulzim Basha, ndërsa avokati Zef Nikaj, kishte refuzuar nënshkrimin e mbylljes së hetimit. 11 dhjetor 2008 – Gjyqtari Altin Abdiu i Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, rrëzoi kërkesën e prokurorit Arben Kraja, për përjashtimin e gjyqtares Fatmira Hajdari nga gjykimi i ankesë së mbrojtjes së Ministri Lulzim Basha. 15 dhjetor 2008 – Gjyqtarja Fatmira Hajdari e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, vendosi pranimin e kërkesës së mbrojtjes së Minsitrit Lulzim Basha, duke e  quajtur të jashtëligjshme fletëthirrjen e prokurorisë. 02 shkurt 2009 – Gjyqtari Pajtim Hoxha i Gjykatës së Apelit të Tiranës, vendosi refuzimin e kërkesë së Prokurorisë së Përgjithshme, duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë që e quante të jashtëligjshme fletëthirrjen e prokurorisë.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›