E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha i tregon të vërtetën FMN-së

Qeveria pranon me anë të një letre dërguar bordit drejtues të FMN-së, se rritja ekonomike për vitin 2008 është 6%. Ndryshe nga sa deklaron në publik Kryeministri i vendit, se kemi rritje mbi 10 për qind, e vërteta është krejt ndryshe. Me firmën e kreut të qeverisë, ministrit të Financave dhe guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, është dërguar një letër "mirëkuptimi" në adresë të bordit ekzekutiv të FMN-së në Uashington, ku thuhet se "rritja ekonomike për vitin 2008 parashikohet të jetë 6 për qind". Dokumenti i publikuar dje nga zyra qendrore e FMN-së në SHBA është dërguar para se bordi ekzekutiv të firmoste ndryshimin e marrëveshjes me Shqipërinë. Kryeministri, pak ditë më parë, konfirmoi qëndrimin për rritjen më të madhe ndër vendet e rajonit, rreth 10 për qind, madje në disa takime me zyrtarë të huaj, por edhe në Davos të Zvicrës, ku ndodhet prej dy ditësh, ka përmendur disa herë potencialet e vendit që sollën këtë rritje ekonomike. Ky vlerësim i shprehur nga Kryeministri për ditë të tëra është hedhur poshtë nga vetë ai në letrën e dërguar ndaj FMN-së.

Deklarata

Letra e mirëkuptimit i është dërguar në javën e dytë të janarit drejtorit të përgjithshëm të FMN-së, Dominique Strauss-Kahn, ku i paraqiten arritjet dhe reformat e kryera përgjatë vitit 2008. Letra dërgohej në një kohë kur qeveria shqiptare kishte kërkuar ndryshimin e programit me FMN-në, i cili zvogëlon rolin e fondit në monitorimin e buxhetit dhe politikave makro. Në dokument, ndër të tjera thuhet se, Shqipëria ka arritur rezultate të shkëlqyera, falë reformave të ndërmarra brenda programit me FMN-në. Niveli i deficitit buxhetor ka zbritur në 5.2 për qind, ndërsa inflacioni mbetet nën kontrollin e Bankës së Shqipërisë. Sa u takon privatizimeve, në letrën e firmosur nga kreu i qeverisë, ai i Financave dhe guvernatori, thuhet se procesi është mbyllur me arritje pozitive të INSIG, OSSH dhe ARMO. "Marrëveshja e firmosur me FMN-në në 2006-ën, gjatë këtyre tre vjetëve solli reforma të mëdha për vendin, i cili arriti zhvillim të kënaqshëm makroekonomik", nënvizohet në letrën e mirëkuptimit. Duke folur për planet e 2009-ës, kreu i qeverisë thekson se deficiti buxhetor do të pësojë ulje me 4.2 për qind, ndërsa pritet një tjetër reformë në politikën e taksave, siç është ulja e kontributeve, duke nisur nga 1 maji.

E vërteta

Atë që Kryeministri Berisha nuk e pranoi publikisht, se vendi do të haste në rënie ekonomie, preferoi ta deklaronte me anë të një letre dërguar FMN-së qendrore në Uashington. Prej kohësh zyra e Kryeministrit dhe stafi i ministrit të Financave janë përplasur për të vërtetën e rritjes ekonomike, pasi të dyja institucionet kishin variante të ndryshme. Tashmë kur 2008 po qartësohet akoma e më shumë, në 2009-ën nuk janë dhënë ende parashikimet zyrtare. BSH dhe FMN kanë shprehur rënie të rritjes deri në 4 për qind, ndërsa Ministria e Financave deklaron rritje me 6.1 për qind.

Çlirohet fondi 3.5 milionë USD

Bordi i FMN-së pranon

ndryshimin e programit

Bordi ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi dy ditë më parë raportin e rishikimit të gjashtë dhe të fundit të marrëveshjes për rritjen ekonomike dhe zbutjen e varfërisë (PRGF-EFF), si dhe miratoi çeljen e fondit prej 3.6 milionë dollarë për Shqipërinë. Rishikimi i gjashtë përfundoi në dhjetor të 2008-ës nga stafi i FMN-së, i cili konfirmoi kalimin e Shqipërisë nga një vend me të ardhura të ulëta në një stad të ri të vendeve me të ardhura mesatare. Zv/drejtori i FMN-së, Murilo Portugal, i cili kryesoi mbledhjen e bordit ekzekutiv, u shpreh se "autoritetet shqiptare duhet të përgëzohen për performancën shumë të mirë gjatë programit të mbështetur nga FMN-ja. Zbatimi i politikave të mira ekonomike dhe progresi në reformat strukturore kanë bërë të mundur që Shqipëria të ruajë rritje të lartë ekonomike dhe të mbajë një nivel të ulët inflacioni". Marrëveshja trevjeçare u nënshkrua në shkurt të vitit 2006 me të drejtën për të përfituar deri në 25.4 milionë dollarë amerikanë. "Kjo marrëveshje, ndër të tjera, ishte formuluar me qëllim që të mbështeste rritjen ekonomike, të forconte aftësinë paguese të qeverisë, e të zhvillonte më tej sistemin financiar", u shpreh dje Ministria e Financave.

Bode: Marrëveshja me FMN,nxitje për Shqipërinë

Ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë punimeve të seancës plenare të radhës në Kuvend të enjten, e cilësoi miratimin përfundimtar të rishikimit të gjashtë dhe të fundit të marrëveshjess bashkëpunimit të FMN-së me qeverinë shqiptare si një inkurajim për të ecur në rrugën e reformave. Sipas tij, bordi i drejtorëve ekzekutivë i FMN-së miratoi në mënyrë unanime raportin përfundimtar të rishikimit të gjashtë dhe të fundit të marrëveshjes së bashkëpunimit të FMN-së me qeverinë shqiptare, në kuadër të programit për rritjen ekonomike dhe zbutjen e varfërisë (PRGF-EFF), si dhe të problemit për të lehtësuar rritjen ekonomike dhe zgjerimin e financimeve në vend. "Shqipëria plotësoi me sukses të plotë marrëveshjen trevjeçare, bordi i drejtorëve përgëzon Shqipërinë për performancën shumë të mirë gjatë programit trevjeçar", shtoi ministri. Marrëveshja e re me FMN-në erdhi si pasojë e konsolidimit të të ardhurave, përmirësimit të klimës së biznesit dhe procesit pozitiv të privatizimeve. Pas miratimit të raportit të fundit, Shqipëria përfundimisht përfiton grand falas, si "mbështetje buxhetore", nga FMN-ja, shumën prej 25.4 milionë dollarësh dhe "gradohet" nga një vend me të ardhura të pakta, një vend i varfër, në vend me të ardhura mesatare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›