E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulja e interesit të lekut, efekte të dyanshme

Ulja e normës bazë të lekut nga Banka e Shqipërisë do të sjellë efekte pozitive për klientët e bankave që kanë marrë kredi në lekë, por edhe më të leverdishme për ata që do të aplikojnë tani e tutje. Lëvizja e fundit e BSH-së vjen në një kohë kur rritja ekonomike e vendit po regjistronte rënie, si shkak edhe i mungesës së kreditimit. Qëllimi i BSH-së është ruajtja e inflacionit, i cili tani është nën kontroll, por me uljen e normës bazë të interesit, detyron bankën të jetë më e kujdesshme në stabilizimin e çmimeve. Efekti i dyanshëm i uljes së interesit përkthehet ndryshe rritje ekonomike dhe luhatshmëri inflacioni. Me uljen e interesave për kreditë, individët do të nxiten më tepër të aplikojnë pranë bankave. Aktualisht, norma mesatare e interesave për kredi në lekë është rreth 14 për qind, ndërsa pas vendimit të BSH-së pritet një reduktim i tyre deri në 2 për qind. Për individët që janë duke shlyer aktualisht kreditë në banka, këstet mund të zbresin deri në 2 mijë lekë, megjithatë çdo zbritje varet nga shuma e marrë hua. Edhe pse rreth 70 për qind e kredisë është dhënë në valutë të huaj, bankierët mendojnë se reflektimi i ndryshimit të normës bazë do të duket te borxhet e qeverisë. Elvin Meka, ekspert i fushës bankare, thotë se, tregu i interesave ndikohet më së shumti nga ofertë-kërkesa mes qeverisë dhe BSH te huatë. Me ndryshimin e interesit, - 0.5 për qind, kostoja e parasë do të jetë më e përballueshme për bankat, e cila do të reflektohet te kreditë që do u jepen individëve. Ndërkaq, zyrtarë të Bankës së Shqipërisë japin shenja pozitive për lehtësimin e kredisë, sidomos për bizneset. Ulja e normës bazë do të reflektojë natyrshëm edhe te depozitat. Një interes më i ulët për afate të ndryshme nuk e nxit individin që kursimet t‘i fusë në bankë. Nëse për depozitat në lekë interesi vjetor ishte deri në 6 për qind, tani e tutje individët do të marrin më pak fitime, pasi norma do të ulet me të paktën 1.5 për qind. E thënë ndryshe, manovra e fundit e BSH-së jep dy efekte të kundërta. Pozitivja është se ul interesat për kredinë dhe nxit zhvillimin e rritjes ekonomike për vendin, por, nga ana tjetër, (negativja), zgjerimi i parasë në qarkullim falë kreditimit të lartë, rrezikon stabilitetin e çmimeve, e si rrjedhojë inflacionin, kurse të ardhurat nga depozitat për individë të ndryshëm do të bien.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›